Botë

Sllovenia do ta heqë rrethojën 200-kilometërshe në kufi me Kroacinë

Descriptive Text

Policia sllovene tha të mërkurën se ka arrestuar një sirian për transportimin ilegal të 17 migrantëve, teksa Ministrja e Jashtme e vendit tha se shteti po planifikon të fillojë heqjen e rrethojës prej teli në kufirin me Kroacinë, raportoi AP-ja.

Policia ndaloi një kamion me tabela austriake në një autostradë. Shoferi u arrestua, kurse migrantët – kryesisht nga Afganistani dhe Irani – u dërguan në një qendër azili.

Sllovenia ka raportuar rritje të kalimeve të migrantëve në krahasim me vitin e kaluar. Migrantët vijnë në Slloveni nga Kroacia përmes rrugës ballkanike me shpresën që të arrijnë në Evropën perëndimore.

Pas marrjes së pushtetit në zgjedhjet e prillit, qeveria e re e Sllovenisë njoftoi për planet që ta hiqte rrethojën me kufirin kroat, i cili qe ngritur pasi mbi 1 milion persona u futën në BE në vitin 2015.

Autoritetet thanë se heqja e gardhit 200 kilometrash mes dy shteteve të Bashkimit Evropian mund të marrë disa javë.

Ministrja e Jashtme, Tanja Fajon, tha se do të jetë “proces gradual”. Ajo e përshkroi këtë lëvizje si “veprim human, kështu që njerëzit që vijnë nuk do të kenë aksidente ose fatkeqësi”.