Botë

Testimet e transplantimeve të organeve të derrit

Studiuesit e Nju-Jorkut kanë transplantuar zemrat e derrave në dy njerëz të vdekur nga truri gjatë muajit të fundit, zhvillimi më i fundit nga një varg përpjekjesh për të shpëtuar jetë njerëzish me organe kafshësh.

Eksperimentet e shpallura të martën kanë ardhur pas një përpjekjeje historike por të dështuar në fillim të këtij viti në përdorimin e zemrës së derrit për ta shpëtuar burrin nga Marvlandi, i cili po vdiste – lloj prove para se shkencëtarët ta provojnë përsëri eksperimentin.

Ndër ato që u mësuan nga ai rast është se praktika me të ndjerin ishte shumë e rëndësishme.

“Mësuam aq shumë nga i pari sa rasti i dytë është shumë më i mirë tani’, është shprehur dr. Nader Moazami, i cili i ka drejtuar operacionet në NYU Langone Health. “Qëndron aty me frikë”, kur zemra e derrit fillon rrahjet në trupin e njeriut.

Këtë herë ekipi i Moazamit imitoi se si bëhen transplantimet e zemrës në mënyrë rutinore. Një herë gjatë muajit të kaluar, dhe herën tjetër gjatë javës së kaluar, studiuesit udhëtuan për në vendin ku strehoheshin derra të modifikuar gjenetikisht, hoqën zemrat e nevojshme, i vendosën në akull dhe i fluturuan qindra milje prapa për në Nju-Jork.

Ata kanë përdorur metoda të reja të posaçme për të kontrolluar ndonjë virus shqetësues të kafshëve përpara se ta qepnin zemrën në gjoksin e secilit marrës të vdekur – një veteran i Vietnamit nga Pensilvania, me një histori të gjatë të sëmundjeve të zemrës dhe një grua nga Nju-Jorku që kishte pasur transplantim më herët.

Më pas, u bënë edhe tri ditë testime intensive se sa mund të toleronin pacientët e gjallë- duke përfshirë biopsi të shpeshta të organit – përpara se mjekët t’i shkëputnin mbështetësit e jetës.

Tashmë Administrata e Ushqimit dhe Barnave po shqyrton mundësinë nëse do të lejojë një numër të vogël amerikanësh që kanë nevojë për organ të ri, të bëhen vullnetarë për studime rigoroze të zemrës a veshkave të derrit. NYU Langone është ndër tri qendrat e transplantimit që planifikojnë prova - dhe ka planifikuar takim me FDA-në gjatë muajit për t’i diskutuar kërkesat.

Testimi tek të vdekurit mund të ndihmojë në rregullimin e mënyrës sesi janë projektuar provat e para tek të gjallët, tha dr. David Klassen i Rrjetit të Bashkuar për Ndarjen e Organeve, i cili mbikëqyr sistemin e transplantimit të vendit.

Një nga marrësit e vdekur, Lawrence Kelly, kishte vuajtur nga sëmundjet e zemrës për pjesën më të madhe të jetës së tij dhe “ai do të ishte shumë i lumtur të dinte se sa kontributi i tij në këtë hulumtim do t'i ndihmojë njerëzit si ai” në të ardhmen, ka bërë të ditur partnerja e tij, Alice Michael.

Transplantimet nga kafsha te njeriu, atë që shkencëtarët e quajnë ksenotransplantim, janë provuar për dekada pa sukses, pasi sistemi imunitar i njerëzve sulmoi pothuajse menjëherë indin e huaj. Tani derrat po modifikohen gjenetikisht në mënyrë që organet e tyre të jenë më të ngjashme me njeriun - duke rritur shpresën se një ditë mund të ndihmojnë në plotësimin e mungesës së organeve të dhuruara. Më shumë se 100 mijë njerëz janë në listën kombëtare të pritjes për transplantim, shumica prej tyre pacientë të veshkave dhe mijëra vdesin çdo vit para se t'u vijë radha.

Përpjekja më ambicioze deri më tani erdhi në janar, kur mjekët në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Marylandit transplantuan një zemër derri tek një 57-vjeçar që po vdiste. David Bennet ka mbijetuar për dy muaj, dëshmi se ksenotransplatimi ishte të paktën i mundur. Mirëpo testimi fillestar nuk e kishte studiuar faktin që organi kishte virus të kafshëve. Çfarë e shkaktoi dështimin e zemrës së re të Bennettit dhe nëse ai virus luajti ndonjë rol ende nuk dihet.

Muaj më parë, ekipi i NYU dhe studiuesit në Universitetin e Alabamës në Birmingham po testonin veçmas transplantimet e veshkave të derrit tek të vdekurit, njerëz që kishin dhuruar trupat e tyre për shkencë.

Eksperimentet e fundit në zemër të NYU-t do t’iu shtohen provave ndërkohë që FDA-ja vendos nëse do të lejojë studime formale te pacientët e gjallë.

Por dr. Robert Montgomery i NYU Langone, kirurg i transplantimit të veshkave, i cili mori vetë transplantimin e zemrës, ka theksuar se vazhdimi i eksperimenteve të kujdesshme te të ndjerin është kritik për të gjetur metodat më të mira “në një mjedis ku jeta e një personi nuk është në rrezik”.

“Kjo nuk është një situatë e vetme. Do të jenë vite për të mësuar se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë nuk është e rëndësishme që kjo të funksionojë”, ka theksuar Montgomery, i cili ka listë me pothuajse 50 njerëz që kanë thirrur të dëshpëruar për t’u bërë vullnetarë për transplantim të veshkës së derrit.

FDA-ja nuk ka sinjalizuar se sa shpejt mund të vendosë nëse do të lejojë studime të tilla. Në një takim publik dyditor të fundit, këshilltarët shkencorë të agjencisë kanë theksuar se ishte koha për të provuar pavarësisht një liste të gjatë pyetjesh. Ato përfshijnë mënyrën më të mirë për të modifikuar derrat, pasi disa kompani bioteknike - duke përfshirë “Revivicor”, e cila furnizonte organet e NYU - po ndjekin opsione të ndryshme.

Nuk është as e qartë se cili organ duhet të provohet së pari në një provë klinike. Nëse veshka e derrit dështon, pacienti mund të mbijetojë gjithmonë me dializë. Megjithatë, disa nga këshilltarët e FDA-së kanë njoftuar se të fillohet puna me zemrën mund të ishte më mirë. Eksperimentet me veshkat e derrit te njerëzit e vdekur treguan se organet prodhonin urinë. Por ende nuk dihet nëse veshkat e derrit bëjnë një punë tjetër të rëndësishme – përpunimin e medikamenteve – në të njëjtën mënyrë që bëjnë veshkat e njeriut.