Botë

Putini javën e ardhshme në Iran, vizita e dytë jashtë shtetit që nga pushtimi i Ukrainës

Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Iranin javën e ardhshme, ka thënë Kremlini të martën, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se Teherani mund t'i sigurojë Moskës dronë për aksionin e saj në Ukrainë, shkruan AP.

Gjatë një udhëtimi në Teheran të martën e ardhshme, Putin do të marrë pjesë në një takim trepalësh me liderët e Iranit dhe Turqisë, i ashtuquajturi formati i takimeve të Astanës për bisedimet lidhur me Sirinë, shtoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Vizita e Putinit në Iran do të pasojë udhëtimin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në Izrael dhe Arabinë Saudite këtë javë, ku programi bërthamor i Iranit dhe aktivitetet malinje në rajon do të jenë temë kryesore e diskutimit.

Peskov u tha gazetarëve se gjatë vizitës në Teheran, Putin do të ketë gjithashtu një takim të veçantë me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Në mars, Erdogan ndihmoi në ndërmjetësimin e bisedimeve midis përfaqësuesve rusë dhe ukrainas në Stamboll, Turqi. Peskov konfirmoi se nuk kishte diskutime për një rund të ri negociatash të tilla.