Botë

Inteligjenca britanike: Rusët po përparojnë në drejtim të Popasnas

Në raportin e përditshëm, inteligjenca britanike njoftoi të dielën se forcat ruse po vazhdojnë ta sulmojnë qytetin ukrainas Sloviansk të Dobasit, derisa artileria kryesore është përqendruar në veri të Iziumit, e në afërsi të lindjes së Lysychanskut.

Në raportin e publikuar në rrjetin social Twitter thuhet se rusët i kanë bërë disa përparime të vogla territoriale rreth Popasnas.

Gjatë majit, trupat ukrainase janë tërhequr nga qytetit lindor, Popasna, për shkak se trupat ruse kishin demoluar një pjesë të madhe të qytetit.

Kreu i republikës ruse të Çeçenisë Ramzan Kadyrov, kishte thënë se trupat e tij kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Popasnas.

“Zjarret në Izium vazhdojnë të fokusohen përgjatë aksit të rrugës kryesore E40. Kontrolli i rrugës, që lidh Donetskun me Kharkivin, mund të jetë një objektiv i rëndësishëm për Rusinë pasi ajo përpiqet të përparojë përmes Oblastit të Donetskut”, thuhet në njoftimin e Britanisë.

Të dielën (10 korrik) po zhvillohet dita e 137-t e luftimeve mes Ukrainës dhe Rusisë.