Botë

Protestat detyrojnë presidentin dhe kryeministrin e Sri Lankas të dorëhiqen

Presidenti i Sri Lankas, Gotabaya Rajapaksa, ka njoftuar se do të dorëhiqet pasi protestuesit që ia kërkuan largimin hynë në zyrat presidenciale të shtunën.

Protestuesit po ashtu dogjën edhe shtëpinë e kryeministrit.

As presidenti, as kryeministri s’ishin në ndërtesa në kohën kur hynë protestuesit.

Qindra mijëra protestues kërkuan dorëheqjen e Rajapaksas për shkak të situatës ekonomike në të cilën gjendet vendi.

Ai ka pranuar të dorëhiqet më 13 korrik. Edhe kryeministri Ranil Wickremesinghe është pajtuar të dorëhiqet.

Mahinda Abeywardana, kryeparlamentar në Sri Lanka, ka thënë se presidenti ka vendosur të largohet “duke siguruar një dorëzim paqësor të pushtetit”.

“Prandaj kërkoj nga publiku të respektojë ligjin dhe të ruajë paqen”, ka thënë ai të shtunën në mbrëmje pas trazirave që kapluan vendin./BBC