Botë

OKB-ja thotë se edhe Ukraina ka faj për sulmin në shtëpinë e pleqve

OKB-ja thotë se edhe Ukraina ka faj për sulmin në shtëpinë e pleqve

Dy javë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë, rebelët e mbështetur nga Kremlini sulmuan një shtëpi pleqsh në rajonin lindor të Luhanskut. Dhjetëra të moshuar dhe pacientë me aftësi të kufizuara, shumë nga ta në shtrat, u bllokuan brenda pa ujë dhe pa elektricitet.

Sulmi i 11 marsit nisi një zjarr i cili kaploi ndërtesën, duke mbytur njerëzit që nuk mundnin të lëviznin. Një numër i vogël i pacientëve dhe stafit u larguan dhe ikën në një mal afër, duke marrë ndihmë pasi ecën 5 kilometra.

Në një luftë ku kanë ndodhur shumë mizori, sulmi në shtëpinë e pleqve afër fshatit Stara Krasnyanka u bë pjesë e këtyre mizorive. Autoritetet ukrainase ia vunë gjithë fajin forcave ruse, duke i akuzuar për vrasjen e mbi 50 civilëve të pafajshëm në një sulm brutal dhe të paprovokuar, raportoi të shtunën AP-ja.

Por, një raport i ri i Kombeve të Bashkuara ka gjetur se Forcat e Armatosura të Ukrainës bartin një pjesë të madhe, ndoshta të njëjtë, të fajit për atë që ka ndodhur në Stara Krasnyanka. Disa ditë para sulmit, ushtarët ukrainas morën pozicione brenda shtëpisë së pleqve, duke e bërë menjëherë cak ndërtesën.

Të paktën 22 nga 71 pacientët i mbijetuan sulmit, por numri i saktë i të vrarëve nuk dihet, sipas OKB-së.

Raporti nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut nuk konkludon se ushtarët ukrainas ose luftëtarët separatistë të mbështetur nga Moska kanë kryer krim lufte. Por, ka thënë se beteja në shtëpinë e pleqve në Stara Krasnyanka është në krye të shqetësimeve të zyrës për të drejtat e njeriut për shkak të përdorimit potencial të “mburojave njerëzore” për të ndaluar operacionet ushtarake në zona të caktuara.