Botë

Ish-kryeministri i fuqishëm japonez lë prapa trashëgimi të ndarë në dysh

Abe ishte i dashur për konservatorët, por i sharë nga shumë liberalë në Japoni. Dhe asnjë politikë nuk ishte më përçarëse sesa ëndrra e tij e madhe, por e pasuksesshme, për të rishikuar kushtetutën e Japonisë që kishte hequr dorë nga lufta. Ultra-nacionalizimi i tij gjithashtu nxiti pakënaqësi te Koretë dhe Kina, shtetet viktima të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shinzo Abe ishte gjakkaltër politik i brumosur për pushtet. Kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, ndoshta edhe më polarizuesi. Politikani më kompleks i historisë më të re të Japonisë.

Abe, i cili u vra të premten, nxiti pakënaqësi te liberalët dhe te viktimat e Luftës së Dytë Botërore në Azi me përpjekjet e tij të forta për të formatuar ushtrinë dhe për qëndrimet revizioniste se Japonisë i është dhënë vendim i padrejtë nga historia për të kaluarën e saj brutale.

Në të njëjtën kohë, ngjalli ekonominë japoneze, i priu shtetit për rol më të madh në Azi dhe shërbeu fener i rrallë i stabilitetit politik para se të ofronte dorëheqjen para dy vjetësh për arsye shëndetësore.

“është figura më e lartë politike në Japoni në dy dekadat e fundit”, ka thënë Dave Leheny, shkencëtar politik në Waseda University. “Ai donte që Japonia të ishte e respektuar në skenën botërore në mënyrën që ai e ndiente se e meritonte... Ai donte që Japonia të mos vazhdonte të kërkonte falje për Luftën e Dytë Botërore”.

Abe, i cili u vra gjatë fjalimit në fushatën zgjedhore, ishte 67-vjeçar.

Policia ka arrestuar të dyshuarin në vendin e krimit që ka tronditur Japoninë, një prej shteteve më të sigurta në botë dhe me ligjet më të ashpra për kontrollin e armëve. Afër të dyshuarit ishte një pajisje dytubash që dukej si armë e bërë në shtëpi.

Abe ka besuar se rekordi i suksesit ekonomik, paqësor dhe bashkëpunimit të Japonisë së pasluftës, do të ishin “diçka që shtetet e tjera do të duhej t’u kushtonin vëmendje, dhe për të cilat Japonia do të duhej të krenohej”, ka thënë Leheny.

Ëndrra e parealizuar

Abe ishte i dashur për konservatorët, por i sharë nga shumë liberalë në Japoni. Dhe asnjë politikë nuk ishte më përçarëse sesa ëndrra e tij e madhe, por e pasuksesshme, për të rishikuar kushtetutën e Japonisë që kishte hequr dorë nga lufta. Ultra-nacionalizimi i tij gjithashtu nxiti pakënaqësi te Koretë dhe Kina, shtetet viktima të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shtytja për rishikim kushtetues buronte nga e kaluara e tij personale. Gjyshi i Abes, ish-kryeministri Nobusuke Kishi, përçmoi kushtetutën e hartuar nga SHBA-ja, e miratuar gjatë pushtimit amerikan. Për Aben, kushtetuta e vitit 1947 ishte simbolikë e asaj që ai e shihte si trashëgimi të padrejtë të humbjes së luftës nga Japonia dhe imponim i rendit botëror të fitimtarëve dhe vlerave perëndimore.

Kjo kushtetutë heq dorë nga përdorimi i forcës japoneze në konfliktet ndërkombëtare dhe kufizon ushtrinë e Japonisë vetëm në vetëmbrojtje, ani pse shteti ka ushtri, marinë dhe forcë ajrore moderne që bashkëpunon ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleaten kryesore të Japonisë.

Përkrahja e dobët publike për ndryshimet, mallkoi përpjekjet e Abes, mirëpo qëllimi ende është në mendjen e përkrahësve të tij ultra-konservatorë.

Abe ka qenë kundër traktateve të pasluftës dhe tribunaleve që gjykuan kriminelët japonezë të luftës. Retorika e tij politike shpesh përqendrohej në kthimin e një Japonie normale dhe të bukur me rol të fuqishëm ushtarak në çështjet ndërkombëtare.

Ai gjithashtu ishte forcë shtytëse e përpjekjeve të konservatorëve japonezë që të zbardhnin mizoritë e kohës së luftës dhe për të nxitur kërkimfaljet për këto krime.

Bashkëpunimi me Amerikën

Përkrahësit e tij shfaqin përpjekjet e tij që të ngritë profilin e Japonisë në skenën ndërkombëtare dhe propozimi i tij për rend të ri të demokracive me të njëjtin mendim, për t’iu kundërvënë Kinës, u miratua me shpejtësi nga Washingtoni dhe vendet tjera.

Abe kishte ndikim edhe te politikat e kryeministrit aktual Fumio Kishida, duke nxitur forcimin e ushtrisë, përfshirë aftësitë mbrojtëse ndaj sulmeve të mundshme.

Abe dha dorëheqje si kryeministër në vitin 2020, për shkak se i ishte kthyer një sëmundje nga e cila kishte vuajtur si adoleshent.

Në kohën e dorëheqjes u kishte thënë gazetarëve se ishte shumë i pikëlluar që nuk kishte arritur shumë prej qëllimeve. Përveç dështimit për rishikimin e kushtetutës, ai e kishte të pamundur t’u jepte fund trashëgimive të luftës, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Korenë e Veriut, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për ishujt dhe nënshkrimin e një traktati të paqes me Rusinë që zyrtarisht t’u jepnin fund armiqësive që kishin nisur në Luftën e Dytë Botërore.

Abes i thuri lavde Washingtoni për përpjekjet e tij për marrëdhënie më të mira mes SHBA-së dhe Japonisë. Këto marrëdhënie ai i shihte si përforcim të kapaciteteve mbrojtëse. Japonia është nikoqire e 50 mijë trupave amerikane në kohën e tensioneve me Kinën dhe Korenë e Veriut.

Abe magjepsi konservatorët me politikat e sigurisë për shkak të frikës nga terrorizmi, ambicieve bërthamore të Koresë së Veriut dhe vendosmërisë ushtarake të Kinës.

Por gjithmonë ka pasur përkrahje publike për kushtetutën pacifiste dhe pikëpamje të ndara për amandamentet brenda partisë së Abes. Shumë deputetë preferonin të përqendroheshin në rritjen ekonomike.

Abe ka thënë gjithmonë se ishte krenar që punonte për aleancën mes Japonisë dhe SHBA-së dhe që ishte nikoqir i vizitës së parë të ndonjë presidenti amerikan në qytetin e Hiroshimas. Ai i ndihmoi Tokios të siguronte organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2020 duke thënë se katastrofa bërthamore në Fukushima ishte nën kontroll, ani pse nuk ishte.

Abe u bë kryeministri më i ri në moshë i Japonisë në vitin 2006, në moshën 52-vjeçare, mirëpo qëndrimet e tij nacionaliste përfunduan një vit më vonë.

Kur u kthye në pushtet gjatë vitit 2012, Abe kishte premtuar ringjalljen e shtetit dhe ekonomisë me formulën tashmë të njohur “Abenomika”, e cila kombinoi stimujt fiskalë, lehtësimet monetare dhe reformat strukturore.

Ai fitoi gjashtë palë zgjedhje dhe ktheu kontrollin e fortë mbi pushtetin, duke forcuar rolin mbrojtës të Japonisë dhe aleancën me SHBA-në. Ai gjithashtu ngriti arsimimin patriotik në shkolla dhe ngriti profilin ndërkombëtar të Japonisë.

Doli nga zyra si kryeministri që shërbeu më së gjati në Japoni, duke lënë në hije rekordin e Eisaku Satos, që shërbeu për 2 mijë e 798 ditë nga viti 1964 deri më 1972.

Përktheu: Gent Mehmeti