Botë

Severodonetsku në prag të “katastrofës humanitare”

Descriptive Text

Përkeqësim i kushteve të jetesës është paralajmëruar në Severodonetsk të Ukrainës, i cili u pushtua nga forcat ruse dy javë më parë, ka shkruar të premten “Al Jazeera”.

Një zyrtar rajonal ukrainas ka thënë se ky vend ka mbetur pa ujë, energji dhe sistem kanalizimesh të ujërave të zeza, ndërsa trupat e të vdekurve dekompozohen në ndërtesat e nxehta të apartamenteve.

Guvernatori Serhiy Haidai, ka thënë se Severodonetsku i pushtuar “është në prag të një katastrofe humanitare”.

“Rusët kanë shkatërruar plotësisht të gjithë infrastrukturën kritike dhe ata nuk janë në gjendje të riparojnë asgjë”, ka thënë ai.

Sipas Haidait, ushtarët rusë po lëshojnë breshëri artilerie pa dallim, duke u përpjekur të sigurojnë fitoren e tyre në provincën Luhansk të Ukrainës lindore.

Moska këtë javë pretendoi kontrollin e plotë të Luhanskut, por guvernatori dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë thënë se trupat e tyre mbajtën një pjesë të vogël të provincës.

“Luhansku nuk është kapur plotësisht edhe pse rusët kanë angazhuar të gjithë arsenalin e tyre për të arritur këtë qëllim”, tha Haidai për Associated Press. “Beteja të ashpra po zhvillohen në disa fshatra në kufirin e rajonit. Rusët po mbështeten në tanke dhe artileri për të avancuar, duke djegur edhe tokat”, ka shtuar ai.