Botë

Maqedonia e Veriut: Një rrugë me gjemba drejt BE-së

Descriptive Text

Protestat e përnatshme në Maqedoninë e Veriut gjatë javës së fundit kanë lënë dhjetëra të lënduar. Në qendër të trazirave është kërkimi i gjatë i shtetit të vogël ballkanik për të hyrë në Bashkimin Evropian, një proces që është përballur me pengesa.

Pengesa e fundit është vetoja nga anëtarja e BE-së, Bullgaria, shkroi të premten AP. Një propozim francez për kompromis për të adresuar shqetësimet e Bullgarisë e ka ndarë Maqedoninë e Veriut, duke nxitur ndonjëherë protesta të dhunshme. Plani i Francës gjeti kundërshtime edhe në Bullgari dhe ndihmoi në rrëzimin e qeverisë, e cila kishte pranuar kompromisin.

Për çfarë është mosmarrëveshja?

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidat për BE për 17 vjet. Shteti doli nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990 dhe kërkoi të krijonte një identitet të fuqishëm kombëtar. Por, në një rajon ku kufijtë dhe etnitë janë zhvendosur e mbivendosur gjatë shekujve, ajo u rrethua nga problemet që nga fillimi.

Emri i zgjedhur për vendin, Maqedonia, nxiti pakënaqësi në Greqi, e cila tha se ky term bartte synime ekspansioniste kundër provincës së saj me të njëjtin emër dhe se ishte përpjekje për ta uzurpuar historinë dhe kulturën greke. Athina bllokoi për vite aplikimin e Shkupit për BE dhe NATO, deri më 2019 kur u arrit një marrëveshje që përfshiu ndërrimin e emrit të shtetit në Maqedoni e Veriut.

Por, vitin më parë, Bullgaria bllokoi përpjekjet e vendit me emrin e ri që t’i bashkohej BE-së, duke e akuzuar Shkupin për mosrespektim të lidhjeve të përbashkëta kulturore dhe historike. Mes kërkesave kyçe të Bullgarisë ishte pranimi se gjuha e Maqedonisë së Veriut rrodhi nga bullgarishtja dhe njohja e minoritetit bullgar.

Pse ka rëndësi?

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE lidhet me aplikimin e njëjtë nga Shqipëria fqinje. Të dyja shtetet e shohin anëtarësimin në bllokun 27-vendesh si mjet për të siguruar stabilitet dhe prosperitet në një botë të pasigurt. Vëmendja e BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor u rrit pas përpjekjeve për sjelljen e Ukrainës më afër bllokut pas pushtimit rus.

Çfarë është propozimi francez?

Franca e mbajti presidencën e BE-së mes janarit dhe qershorit dhe kështu ka qenë thellë e përfshirë në negociatat për ta thyer ngërçin. Liderët e BE-së mbajtën samit me vendet e Ballkanit Perëndimor muajin e kaluar, gjatë të njëjtën javë që i bënë kandidate për anëtarësim në BE, Ukrainën dhe Moldavinë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, shpresoi të prezantonte zhbllokimin e procesit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si një sukses të madh.

Propozimi i Macronit parashikon lëshime nga të dyja palët. Qeveria në Shkup do të angazhohet të ndryshojë kushtetutën e saj për të njohur një pakicë bullgare, për të mbrojtur të drejtat e pakicave dhe për të eliminuar gjuhën e urrejtjes.

Lideri francez theksoi se propozimi nuk vë në pyetje ekzistencën zyrtare të gjuhës maqedone, por tha se, si të gjitha marrëveshjet, “bie në kompromise dhe në një balancë”.

Si u prit propozimi?

Kompromiset në propozimin francez nxitën përçarje në të dyja shtetet.

Qeveria e kryeministrit bullgar Kiril Petkov u rrëzua në një votë mosbesimi më 22 qershor. Një partner i vogël qeverisës u largua nga koalicioni i brishtë katërpartiak, duke e përshkruar gatishmërinë e Petkovit për ta hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut si një "tradhti kombëtare". Zgjedhjet e parakohshme mund të rezultojnë në një prani më të fortë në parlament të ligjvënësve nacionalistë dhe pro-rusë.

Asambleja Kombëtare tashmë e ka miratuar propozimin, por ligjvënësit vendosin kushte shtesë për të rënë dakord për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Ato përfshinin mbrojtjen e duhur kushtetuese për bullgarët që jetonin në Maqedoninë e Veriut dhe asnjë supozim se Bullgaria do ta njihte maqedonishten si gjuhë të veçantë nga bullgarishtja.

Në Maqedoninë e Veriut, presidenti Stevo Pendarovski dhe qeveria e kryeministrit Dimitar Kovacevsk e mbështetën propozimin si një kompromis të arsyeshëm. Pranimi i tij “nuk do të jetë as një triumf historik, ​​as një dështim apo debakël historik”, tha Pendarovski.

Qeveria ka theksuar se propozimi nuk rrezikon interesat apo identitetin kombëtar. Por partia kryesore opozitare e qendrës së djathtë, VMRO-DPMNE, si dhe të tjerët, nuk pajtohen, duke thënë se marrëveshja favorizon kërkesat bullgare që vënë në pikëpyetje historinë, gjuhën, identitetin, kulturën dhe trashëgiminë e Maqedonisë së Veriut.

Çfarë tash?

Bullgaria ka pranuar propozimin francez, që tani kërkon mbështetjen e parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Propozimi është në shqyrtim në parlament. Asnjë seancë plenare nuk është caktuar ende.