Botë

Lideri i krizave rrëzohet nga skandalet që i krijoi vetë

Descriptive Text

Boris Johnsoni donte të bëhej si heroi i tij, Ëinston Churchill: personazh më i madh sa krejt jeta, i cili do t’i printe Britanisë në kohë krizash.

Mirëpo punën e bëri me krizat që i krijoi vetë, teksa akuzat për shkelje të etikës u shndërruan në vorbull që mori Qeverinë e tij dhe ktheu ndaj vetes partinë.

Johnsoni është pajtuar të dorëhiqet të enjten, pasi nuk mund të duronte më korin kundërshtues nga partia. Konservatorët menjëherë kanë nisur procesin për zgjedhjen e liderit të ri dhe gjatë javës do të përcaktohet gjithçka.

Vendimin për largim e mori pas disa muajsh skandalesh, gjatë të cilave Johnsoni u gjobit nga Policia, ndërkaq zyrtarët e tij organizuan ndeja në kohën kur Britania ishte në izolim total shkaku i pandemisë.

Johnsoni e luti partinë dhe shtetin që të vazhdonin dhe të përqendroheshin në krizën ekonomike dhe luftën në Ukrainë. Mirëpo akuzat për ngacmime seksuale ndaj zyrtarit të lartë të partisë kanë përcaktuar fatin e politikanit, aftësia e të cilit për t’u mbijetuar skandaleve ishte legjendare.

“Natyrisht se jam shumë krenar për arritjet e kësaj qeverie; nga realizimi i BREXIT-it, vendosja e marrëdhënieve me kontinentin, kthimi i fuqisë së këtij shteti, kalimi i pandemisë, vaksinat dhe të jemi prirës të Perëndimit kundër agresionit të Putinit në Ukrainë”, ka thënë Johnson.

Karriera e Johnsonit gjithmonë ka qenë mes ekstremeve. Nxori Britaninë nga Bashkimi Evropian dhe i priu shtetit gjatë krizës botërore që rrezikoi edhe jetën e tij, por doli përballë kritikave kur nuk respektoi masat e izolimit që i vendosi kundër pandemisë.

Ata që i qëndruan pranë e kanë cilësuar Johnsonin si burrë që merr në dorë estabilishmentin dhe fiton. Mirëpo ish-anëtari i Parlamentit, Rory Steëart, i cili humbi garën kundër Johnsonit për Partinë Konservatore gjatë vitit 2019, ka thënë se “Johnsoni ndoshta është gënjeshtari më i mirë që kemi pasur ndonjëherë si kryeministër”.

Erdhi në krye të Partisë Konservatore dhe u bë kryeministër në korrikun e vitit 2019. Kishte ushtruar detyra të rëndësishme, si kryetar i Londrës dhe sekretar i Jashtëm i Britanisë.

“Dua të falënderojë miliona qytetarë që votuan për ne në vitin 2019, shumë prej tyre votuan për herë të parë konservatorët. Arsyeja përse kam luftuar aq shumë në ditët e fundit për të vazhduar mandatin tim ishte jo sepse unë doja kështu, por e ndieja se ishte detyra, puna dhe obligimi im që të vazhdoja atë që premtuam në vitin 2019”, u shpreh Johnson.

Shumë herë, Alexander Boris de Pfeffel Johnson, emri i tij i plotë, cilësohej si politikan i kategorisë së lehtë që i mungonte serioziteti si lider. Shpesh dukej i tillë, duke forcuar imazhin e një lideri populist latin me flokë të shprishura, i cili nuk e merr veten seriozisht.

Ai dikur kishte thënë se kishte shanse të bëhej kryeministër aq sa ishin shanset që të gjejë Elvisin në planetin Mars.