Botë

“Ferri në tokë” – rrëfimi i ushtarëve ukrainas

Njëri prej ndihmësve në zyrën e presidentit të Ukrainës në muajin qershor kishte deklaruar se 100 deri në 200 ushtarë ukrainas po vdisnin çdo ditë, mirëpo shteti nuk ka ofruar numër total të ushtarëve të vrarë

Pyje të bëra shkrumb e hi dhe qytete rrafsh me tokë. Bashkëluftëtarë me gjymtyrë të humbura. Bombardimet janë të pamëshirshme dhe mundësia e vetme është fshehja në istikame, të presësh dhe të lutesh.

Ushtarët ukrainas që po kthehen nga fronti i luftës në rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës – në të cilin Rusia ka përqendruar krejt forcat – rrëfejnë për jetën gjatë asaj që është shndërruar në luftë të egër si apokalipsi.

Në intervistat me agjencinë e lajmeve “Associated Press”, disa prej tyre janë ankuar për organizimin lëmsh, dezertimin, problemet e shëndetit mendor të shkaktuara nga bombardimet e njëpasnjëshme. Të tjerët kanë folur për moralin e lartë, heroizmin e shokëve të tyre dhe angazhimin për të vazhduar luftën, ani pse rusët e armatosur rëndë kishin kontroll nëpër zonat e luftës.

Volodymyr Nazarenko, 30-vjeçar, zëvendëskomandant i Batalionit Svoboda të Gardës Kombëtare, ishte me ushtarët e tërhequr nga Sievierodonetsku nën urdhrat e liderëve ushtarakë. Gjatë një muaj luftimesh tanket ruse shkatërruan çdo pozicion të mundshëm mbrojtës dhe e kthyen qytetin me 101 mijë banorë para luftës në “shkretëtirë të bërë shoshë”, thotë ai.

“Na kanë bombarduar çdo ditë. Nuk dua t’ju gënjej për këtë. Kishte gëzhoja armatimesh në çdo ndërtesë. Qyteti thënë troç është bërë rrafsh me tokë”, thotë Nazarenko.

Në atë kohë Sievierodonetsku ishte një nga dy qytetet kryesore nën kontrollin ukrainas në provincën e Luhanskut, në të cilin separatistët prorusë shpallën republikën që nuk e njohu askush para tetë vjetësh. Në kohën kur erdhi urdhri për t’u tërhequr më 24 qershor, ukrainasit ishin të rrethuar nga të tria anët dhe po mbroheshin nga fabrika kimike, në të cilën po strehoheshin edhe civilët.

Ferri në Sievierodonetsk

“Nëse diku në Tokë do të kishte ferr, atëherë do të ishte në Sievierodonetsku”, thotë Artem Ruban, ushtar në batalionin e Nazarenkos. Tani rrëfehej nga Bakhmuti, 64 kilometra në jugperëndim të qytetit. “Forca e brendshme e djemve tanë mundësoi që ata të mbanin qytetin deri në momentin e fundit”.

“Ato nuk ishin kushte njerëzore në të cilat duhej të luftonin. Është e vështirë për ta shpjeguar tani se si ndihen ata apo se si ishte në vijën e frontit”, thotë Ruban. “Aty luftuan deri në fund. Detyra ishte të shkatërrohej armiku, pa marrë parasysh çfarë”.

Nazarenko, i cili gjithashtu ka luftuar në Kiev dhe në pjesë tjera lindore qëkur Rusia nisi pushtimin, mendon se operacioni ushtarak i Ukrainës në Sievierodonetsk ishte fitore, pa marrë parasysh rezultatin. Thotë se ukrainasit arritën të shmangnin shumë viktima, teksa penguan avancimin e Rusisë për më shumë sesa pritej, duke ia shteruar burimet.

“Ushtria e saj pësoi humbje të mëdha dhe potenciali i tyre i sulmit u zhduk”, thotë ai.

Togeri dhe ushtari nën komandën e tij shprehën besimin se Ukraina do t’i kthejë të gjitha territoret e pushtuara dhe do të mposhtë Rusinë. Kanë insistuar se morali mbetet i lartë. Ushtarët e tjerë, shumica pa përvojë lufte, janë më pesimist teksa insistojnë që të mbesin anonimë pas rrëfimit të tyre.

Oleksiy, anëtar i ushtrisë ukrainase që nisi luftën kundër separatistëve të përkrahur nga Rusia në vitin 2016, sapo është kthyer nga fronti me plagë të rëndë. Thotë se është plagosur në Zolote, qytet rus që është pushtuar tashmë.

“Në TV ata tregojnë pamje të bukura të vijës së frontit, solidaritet të ushtrisë, mirëpo realiteti është ndryshe”, thotë ai. Nuk mendon se armatimi perëndimor do të ndryshojë rrjedhën e luftës.

Batalioni i tij nisi të mbeste pa armatim brenda pak javësh, thotë Oleksiy. Në një moment granatimet e pamëshirshme i pengonin ushtarët të ngriheshin në këmbë nëpër llogore, thotë ai. Lodhja i ishte rreshkur në fytyrë.

Image

Jemi pasardhës të Kozakëve, jemi të lirë dhe të guximshëm. E kemi në gjak. Ne do të luftojmë deri në fund”, thotë Mariia, teksa është duke pushuar në llogoren e luftës

Shumë ushtarë të vrarë

Njëri prej ndihmësve në zyrën e presidentit të Ukrainës në muajin qershor kishte deklaruar se 100 deri në 200 ushtarë ukrainas po vdisnin çdo ditë, mirëpo shteti nuk ka ofruar numër total të ushtarëve të vrarë. Oleksiy ka pohuar se njësia e tij ka humbur 150 ushtarë në tri ditët e para të luftimeve, shumica prej tyre nga gjakderdhja.

Për shkak të bombardimeve të pamëshirshme, ushtarët e plagosur janë evakuuar gjatë natës. Ndonjëherë u është dashur të prisnin deri në dy ditë, thotë ai.

“Komandantëve nuk u intereson nëse jenë të thyer psikologjikisht. Nëse keni zemrën që punon, nëse keni këmbë e duar, duhet të ktheheni në front”, shton ai.

Mariia, 41-vjeçare, komandante e togës që iu bashkua ushtrisë ukrainase në vitin 2018, pasi punoi si avokate dhe lindi vajzën, sqaron se niveli i rrezikut dhe shqetësimit mund të ndryshojë në varësi të pozitës së njësisë dhe qasjes në linjat e furnizimit me armatim.

Vijat e frontit kanë ekzistuar që nga fillimi i konfliktit me separatistët prorusë në vitin 2014. Këto vija janë statike dhe të parashikueshme. Ajo thotë se vendet e pushtuara nga Rusia janë “botë krejt tjetër”.

Mariia, e cila refuzoi të tregonte mbiemrin për arsye të sigurisë, thotë se bashkëshorti është duke luftuar në “pikë të nxehtë”. Të gjithëve u mungojnë dhe shqetësohen për më të dashurit, mirëpo ajo thotë se ushtarët e kanë mbajtur moralin lart.

“Jemi pasardhës të kozakëve, jemi të lirë dhe të guximshëm. E kemi në gjak. Ne do të luftojmë deri në fund”, thotë ajo.

Dy ushtarë të tjerë të intervistuar nga “Associated Press” – ish-punëtorët e zyrave në Kiev pa përvojë ushtarake – thonë se u dërguan në linjat e frontit në lindje sapo përfunduan stërvitjet bazike. Thonë se kanë parë organizim të tmerrshëm dhe vendimmarrje të palogjikshme dhe se shumë anëtarë të batalionit refuzonin të luftonin.

Njëri prej ushtarëve thithte marihuanë pothuajse çdo ditë. “Përndryshe do të më ikte truri, do të dezertoja. Ishte e vetmja mënyrë për të përballuar atë”, thotë ai.

Ish-mësuesi 28-vjeçar në Sloviansk, të cilit nuk i kishte shkuar ndërmend kurrë se do të luftonte me vendin e tij, i përshkroi fushat e betejës së Ukrainës si jetë krejt ndryshe, me sistem tjetër të vlerave dhe me nivele të larta dhe të ulëta të emocioneve.

“Ka gëzim dhe pikëllim. Gjithçka është e ndërthurur”, thotë ai.

Miqësia me shokët e luftës janë pikat më të ndritshme. Mirëpo, pa ushtarët me lodhje ekstreme fizike dhe mendore. Ata shfaqnin shenja të çrregullimit post-traumatik.

Pasojat e luftës

“Është e vështirë të jetosh nën stres të vazhdueshëm, i privuar nga gjumi dhe i kequshqyer. Duke parë me sy tmerret – të vdekurit, të gjymtuarit. Nuk ka gjasa që psikika e dikujt të përballojë krejt këto”, thotë ai.

Mirëpo këmbëngul se motivimi për të mbrojtur vendin e tyre mbetet shumë i lartë.

“Jemi gati të durojmë dhe të luftojmë edhe me dhëmbë. Sado e vështirë që të jetë”, thotë mësuesi i ulur në një dyqan peshku, i shndërruar në pikë ushtarake. “Nëse unë nuk jam këtu, kush do ta mbrojë shtëpinë dhe familjen time?”.

Qendra në qytetin e Slovianskut u siguron njësive ushtarake lokale pajisje dhe furnizime dhe u jep ushtarëve vend për të shkuar gjatë pushimeve të shkurtra nga rënia fizike dhe tmerret e betejës.

Tetiana Khimion, koreografe vallëzimi, e ngriti qendrën kur filloi lufta. Turli ushtari qëndron aty, prej forcave speciale të afta dhe veteranët e ngurtësuar nga lufta deri te civilët e kthyer në luftëtarë që u regjistruan së fundmi.

“Mund të jetë kështu: Për herë të parë vjen, buzëqesh gjerësisht, madje mund të jetë i turpshëm. Herën tjetër që ai vjen dhe ka zbrazëti në sytë e tij”, thotë Khimion. “Ai ka përjetuar diçka dhe tani është ndryshe”.

Pas saj, një grup ushtarësh të rinj ukrainas me rotacion nga vijat e frontit ulen duke ndarë shaka dhe një picë. Zhurma e artilerisë dëgjohet disa kilometra larg.

“Kryesisht ata shpresojnë për më mirë. Po, ndonjëherë ata vijnë pak të trishtuar, por ne shpresojmë t'ua ngremë shpirtin edhe këtu”, thotë Khimion. “Ne i përqafojmë, i buzëqeshim njëri-tjetrit dhe më pas ata kthehen në fushëbetejë”.

Të dielën forcat ruse pushtuan bastionin e fundit ukrainas në provincën Luhansk dhe shtuan sulmet me raketa në Donetsk, qendrën e Donbasit. /AP