Botë

Putini i uron rusët për “çlirimin” e Luhanskut: Vazhdoni sipas planit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka uruar trupat ruse për “çlirimin” e rajonit lindor të Ukrainës, Luhansk, raporton BBC-ja të hënën.

Në një takim me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të hënën, Putini deklaroi se trupat e përfshira në operacion duhet të pushojnë, por njësitë e tjera ushtarake duhet ta vazhdojnë luftën “sipas planit”.

Putini i dekoroi me titullin “heroi i Rusisë” dy gjeneralë pas pushtimit të rajonit, derisa bëri të ditur se forcat e tij tash e kontrollojnë tërë rajonin e Luhanskut.

Moska ka thënë se “operacioni special ushtarak”, siç e quan ajo luftën në Ukrainë, ka për qëllim “çlirimin” e Ukrainës lindore nga “nacionalistët”.

Rajoni lindor ka qenë fokusi i aksionit të tij ushtarak pasi përpjekjet fillestare për të marrë kontrollin e kryeqytetit Kiev, dështuan.