Botë

Bombardimet në Ukrainë, mesazh që Perëndimi të mos ndërhyjë

Seria e fundit e tmerreve në Ukrainë ndodhi gjatë kësaj jave kur fuqia e raketave ruse ra shi breshri mbi civilët në qendrën tregtare shumë larg prej vijës së frontit. Koha e bombardimit nuk ishte koincidencë.

Ani pse lufta e ashpër në lindje të Ukrainës nuk po vërehet, brutaliteti i sulmeve ruse me raketa mbi qendrën tregtare në qytetin Kremenchuk dhe në ndërtesat në Kiev, ka shpërfaqur peizazhin e plotë para syve të botës, sidomos të liderëve perëndimore që u mblodhën në tri samite në Evropë.

A ishin sulmet mesazh nga presidenti rus Vladimir Putin teksa Perëndimi po tentonte të armatoste Ukrainën për të forcuar rezistencën e saj dhe të vendoste Ukrainën në shtegun drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

I këtij mendimi ishte kryetari i Kievit, Vitali Klitschko kur raketat goditën kryeqytetin më 26 qershor, tri ditë pasi liderët e BE-së me shumicë u pajtuan që Ukraina të bëhej kandidate për anëtarësim.

Ishte “sulm simbolik” teksa liderët e G7-s pastaj të NATO-s, thotë Klitschko. Së paku gjashtë persona mbetën të vdekur në bombardimin e Kievit që shembi një bllok apartamentesh.

Një ditë pas sulmit në Kiev, teksa udhëheqësit e G-7-s u takuan në Gjermani për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën gjatë samitit të tyre vjetor, Rusia lëshoi raketa në qendrën tregtare të mbushur me njerëz në qytetin qendror të Ukrainës Kremenchuk, duke vrarë të paktën 19 persona.

Koha e të dy sulmeve duket se ishte fiks me takimet evropiane të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, kryeministrit britanik Boris Johnson, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Të gjithë mbështetës të Ukrainës.

Duke kundërshtuar provat, Putin dhe zyrtarët e tij mohojnë se Rusia ka goditur zonat e banuara. Putin ka mohuar që forcat ruse kanë pasur cak qendrën tregtare në Kremenchuk, duke thënë se raketa kishte cak depon e armëve afër qendrës tregtare. Mirëpo zyrtarët ukrainas dhe dëshmitarët kanë thënë se një raketë goditi drejtpërdrejt qendrën tregtare.

Nuk ishte hera e parë që bombardimet shiheshin si sinjale të pakënaqësisë së Moskës. Në fund të prillit, raketat ruse goditën Kievin vetëm një orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbajti konferencën për media me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Të premten Rusia bombardoi zonat e banuara në qytetin bregdetar pranë Odesës dhe vrau në të paktën 21 persona, duke përfshirë dy fëmijë.

Nëse interesi zbehet, mbështetja e përbashkët e parë në samitet globale mund të zbehet gjithashtu dhe bashkë me të urgjenca për të ofruar armët më të rënda që dëshiron Ukraina.