Botë

Të paktën pesë të vdekur nga tërmeti në Iran

Të paktën pesë të vdekur nga tërmeti në Iran

Të paktën pesë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar në Iran si pasojë e një tërmeti me magnitudë prej 6 shkallësh të Rihterit, njoftoi të dielën “Euronews”.

Sipas televizionit shtetëror, 49 persona kanë marrë lëndime në tre tërmetet e njëpasnjëshme që goditën jugun e Iranit, përkatësisht në provincën Hormozgan.

Tërmeti i parë ndodhi rreth orës 02:00 me orën lokale me magnitudë 6 ballë në një thellësi prej 16 km, sipas Institutit Sizmologjik të SHBA-së (USGS). Kjo lëkundje u pasua nga dy të tjera, dy orë më vonë, me magnitudë 5.7 dhe 6 ballë, në thellësi prej 10 km.

Disa ndërtesa banimi janë shembur në Sayeh Khosh derisa në këtë qytet u ndërpre edhe energjia elektrike.

Në Bandar Abbas, kryeqyteti i provincës ku jetojnë gjysmë milioni njerëz, njerëzit kaluan natën në rrugë pas tërmetit.

Energjia elektrike u ndërpre gjithashtu në afro 30 fshatra në zonat e prekura.

Irani është zonë me aktivitet të lartë sizmik. Në vitin 2003, një tërmet me magnitudë 6.6 shkatërroi pjesërisht qytetin Bam dhe la të vdekur të paktën 31,000 njerëz.

Ndërsa tërmeti më vdekjeprurës i Iranit ishte një magnitudë 7.4 në vitin 1990, duke vrarë 40,000 njerëz në veri të vendit.