Botë

Shënohet viktima e dytë e sulmit nga peshkaqeni në Detin e Kuq

Descriptive Text

Viktima e dytë e sulmit nga peshkaqeni është shënuar në brigjet e Detit të Kuq në Egjipt, shkruan të dielën “Sky News”.

Gruaja e dytë që vdiq pas sulmit nga peshkaqeni është një turiste rumune rreth të dyzetave, e cila është parë pa shenja jete pranë resortit të Hurghadas, vetëm disa orë pas sulmit fatal ndaj një gruaje austriake 68-vjeçare.

Të dy sulmet ndodhën 600 metra larg njëri-tjetrit, në brigjet e Sahl Hasheesh.

Guvernatori i Detit të Kuq, gjeneralmajor Amr Hanafi, ka lëshuar urdhër për të pezulluar të gjitha aktivitetet në zonën përreth sulmeve, duke përfshirë zhytjet, surfing, lundrimin me kite dhe anijet e peshkimit.

Sulmet e peshkaqenëve janë të rralla në zonë, me incidentet e fundit që besohet të jenë të parat që nga viti 2020.

Gruaja austriake kishte qenë duke notuar kur u sulmua, duke humbur një këmbë dhe një krah, e cila më pas vdiq pasi u dërgua në spital.

Ministria e Mjedisit e Egjiptit ka thënë se është formuar një komitet për të shqyrtuar rrethanat e sulmeve.