Botë

Aksionet amerikane pësojnë rënien më të madhe në 50 vjetët e fundit

Aksionet amerikane kanë parë gjysmën më të keqe të vitit që nga viti 1970, ndërsa shqetësimet rriten se si hapat për të frenuar inflacionin do të ndikojnë në rritjen ekonomike.

Në gjashtë muajt e fundit, indeksi standard S&P 500 ra me 20.6%, ndërsa indekset e tjera kryesore amerikane gjithashtu ranë ndjeshëm, raportoi BBC të premten.

Aksionet në Mbretërinë e Bashkuar, Evropën kontinentale dhe Azinë gjithashtu kanë pësuar humbje të mëdha.

Kjo vjen ndërsa bankat qendrore në mbarë botën po përpiqen të frenojnë kostot e larta të jetesës, me çmimet e mallrave thelbësore si ushqimi dhe karburantet në rritje.

Disa ekonomistë presin që SHBA-ja, e cila është ekonomia më e madhe në botë, të hyjë në një recesion shumë shpejtë këtë vit, ndërsa normat e interesit vazhdojnë të rriten.

"Nëse Rezerva Federale e SHBA-së vazhdon t’i rrisë normat, tregu i aksioneve do të reagojë mjaft negativisht”, tha për BBC Dan Wang, kryeekonomist në Hang Seng Bank China.

"Aksionet ka të ngjarë të shohin paqëndrueshmëri të vazhdueshme afatshkurtër pasi bankat qendrore vazhdojnë të shtrëngohen për të luftuar inflacionin e lartë, lufta në Ukrainë vazhdon dhe frika e recesionit mbetet e lartë”, tha Shane Oliver nga AMP Capital.

Një tjetër indeks i madh i aksioneve amerikane, “Doë Jones Industrial Average” ra me më shumë se 15% në gjysmën e parë të këtij viti, rënia më e madhe për periudhën që nga viti 1962.

Në të njëjtën kohë, “Nasdaq Composite” i fokusuar në teknologji humbi pothuajse 30%, duke shënuar rënien më të madhe të përqindjes ndonjëherë për gjysmën e parë të vitit.

FTSE 250 në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë me më shumë se 20%, indeksi Stoxx 600 i Evropës ka rënë me pothuajse 17% dhe indeksi MSCI i tregjeve të Azisë-Paqësorit ka rënë me më shumë se 18%.

Muajin e kaluar, Rezerva Federale e SHBA-së njoftoi rritjen e saj më të madhe të normës në gati 30 vjet, teksa rriti luftën e saj për të frenuar rritjen e çmimeve të konsumit.

Banka e Anglisë gjithashtu ngriti normën bazë të interesit në nivelin më të lartë në 13 vjet, nga 1% në 1.25%.