Botë

Biden: Do ta mbështesim Ukrainën për aq gjatë sa të jetë e nevojshme

Descriptive Text

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja dhe gjithë shtetet e NATO-s, do ta mbështesin Ukrainën për aq gjatë sa të jetë e nevojshme.

“Rusia po paguan çmim të madh për këtë – vetëm sot Ishulli i Gjarpërinjve është rimarrë nga ukrainasit. Ne do të qëndrojmë me Ukrainën dhe gjithë aleanca do të qëndrojë me Ukrainën për aq gjatë sa të ketë nevojë, për t’u siguruar që Rusia të mposhtet”, ka thënë Biden në një konferencë për media në Madridi ku gjendet në Samitin e NATO-s, raporton BBC.

Biden ka shtuar se është e sigurt se Rusia nuk do të arrijë fitore në Ukrainë.

“Ukraina i ka dhënë goditje të rëndë Rusisë – Rusia tashmë ka humbur pozitën ndërkombëtare. Rusia është në pozitë ku e gjithë bota po e shikon dhe thotë ‘gjithë ky angazhim, u munduan ta marrin gjithë shtetin, u munduan ta marrin Kievin dhe humbën, u munduan ta marrin Donbasin dhe nuk e kanë bërë ende’. Nuk e di se si do të përfundojë, por nuk do të përfundojë me një fitore ruse në Ukrainë”, tha Biden.

Biden thotë se e kishte paralajmëruar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se nëse e pushton Ukrainën, NATO vetëm do të bëhet më e fortë dhe më e bashkuar.

“Kjo është saktësisht ajo që po e shohim sot”, ka shtuar Biden.

Ai ka paralajmëruar një ndihmë tjetër ushtarake në vlerë 800 milionë dollarë për Ukrainën në ditët në vijim. Në këtë listë të ndihmës ushtarake do të jetë mbrojtje ajrore, artileri dhe armatim tjetër.

SHBA-ja ka dërguar më tepër se 50 miliardë dollarë ndihmë në Ukrainë deri më tash.