Botë

Dy policë të vrarë gjatë një sulmi në stacionin e policisë në Benin

Descriptive Text

Dy oficerë policie janë vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm që ndodhi në një stacion policie në veriperëndim të Beninit, raportoi të hënën “Al Jazeera”.

Sipas policisë, ky sulm dyshohet se ka ndodhur si pasojë e përhapjes së trazirave në Burkina Faso dhe Nigerin fqinj.

“Sulmuesit kanë arritur në stacionin e policisë Dassari rreth orës 2 të mëngjesit të dielën dhe kanë hapur zjarr, duke vrarë dy oficerë”, ka thënë një zyrtar policor për Reuters, i cili nuk deshi të identifikohej. “Forcat tona ishin në gjendje të rezistonin. Fatkeqësisht, në radhët tona ishin dy të vdekur. Dy ‘terroristë’ u vranë gjithashtu dhe disa të tjerë u plagosën”, shtoi ai.

Gjatë këtij sulmi me armë, janë djegur edhe motoçikletat e konfiskuara në stacion, ndërsa përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë askush deri tani.

Dassari është qytet rreth 600 km (373 milje) në veriperëndim të qytetit më të madh të Beninit, Cotonou, afër kufirit me Burkina Fason.

Grupet e lidhura me Al-Kaedën dhe ISIL, aktive në Beninin verior dhe rajonin Sahel të Afrikës Perëndimore, kanë përshkallëzuar sulmet javët e fundit.

Qeveria e Beninit tha se vendi ka pësuar gati 20 sulme nga grupet e armatosura, në raportin e parë zyrtar të publikuar në maj.