Botë

Irani e Arabia Saudite, gati për bisedime dypalëshe

Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se Arabia Saudite është e gatshme të zhvillojë bisedime më të drejtpërdrejta dypalëshe, një ditë pasi kryeministri irakian, Mustafa al-Kadhimi ka udhëtuar në Teheran për të ndërmjetësuar mes dy rivalëve rajonalë, raportoi të hënën “Al Jazeera”.

Zëdhënësi i MPJ-së iraniane, Saeed Khatibzadeh, ka thënë se Riadi zyrtar është i gatshëm të vazhdojë negociatat në Bagdad në nivel diplomatik, pa komentuar një datë të mundshme.

Bisedimet e drejtpërdrejta të organizuara nga Bagdadi midis Iranit dhe Arabisë Saudite kanë filluar në prill të vitit 2021, ndërsa raundi i fundit i këtij dialogu është mbajtur në prill të këtij viti, të cilin pala iraniane e ka përshkruar si pozitiv.

Deri më tani, sipas Khatibzadehit, të dyja palët kanë arritur kryesisht vetëm marrëveshje përfundimtare për akomodimin e pelegrinëve iranianë që shkojnë në Mekë për pelegrinazhin vjetor të Haxhit, në korrik.

"Ka ende raste mosmarrëveshjesh midis Iranit dhe Arabisë Saudite, por ato do të duhet të zgjidhen midis dy vendeve, diçka që do të ndihmojë të gjithë botën islame”, ka thënë ai.

Al-Kadhimi u prit nga presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i jashtëm Hossein Amirabdollahian në Teheran të dielën, pas një udhëtimi në Jeddah një ditë më parë.

Raisi nuk e përmendi Arabinë Saudite gjatë adresimit të tij me al-Kadhimin, por iu referua çështjeve në Jemen dhe Izrael.

Amirabdollahian tha se Irani mbështet rihapjen e ambasadave në kryeqytetet e të dy vendeve.

Marrëdhëniet diplomatike u ndërprenë në vitin 2016 pasi protestuesit sulmuan misionet diplomatike saudite në Iran si reagim ndaj ekzekutimit të një udhëheqësi të njohur fetar shiit nga Arabia Saudite, e cila është kryesisht sunite.