Botë

Çanak: Rusia planifikon vrasjen e Vuçiqit

Descriptive Text

Lideri i socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka thënë se përfaqësuesi i serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, është njeriu i Putinit në Ballkan dhe se ai së fundi, me urdhër të tij, është hedhur edhe kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Çanak në një intervistë për Face TV të Bosnjës, tha se Dodiku me urdhër të Putinit po i bën presion Vuçiqit që Serbia të mos i vë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë, ashtu siç kërkon perëndimi.

Çanak madje ka thënë se Rusia po planifikon vrasjen e Vuçiqit dhe nxitjen e luftës në Ballkan.

“Nga vrasja e Vuçiqit do të përfitonte vetëm Rusia, sikur që përfitoi nga vrasja e kryeministrit Zoran Gjingjiq”, tha Çanak, i njohur për pikëpamjet e tij liberale.

Ai tha se Dodiku është një shpirt i shitur dhe pa moral. Ai kritikoi Dodikun që së fundi shkoi në një samit në Rusi dhe atje shfaqi flamurin e Bosnjës, duke e keqpqërdorur atë.

“’Mile dhe talebanët’ ishin një fuqi ekonomike. Imagjinoni Putinin që ka rënë mbi Dodikun”, tha ai.

Sipas tij, Vuçiqi është i kërcënuar edhe nëse vazhdon të rezistojë të mos i vë sanksione Rusisë.

“Ai e di se nëse vendos sanksione, do ta vrasin me helmin Noviçok. Do ta vrasin si harabel. A i vranë këta agjentë të tyre në Britani?”, deklaroi lideri solcialdemokratëve të Vovodinës.

Deri më tash, Vuçiqi ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë, me gjithë kërkesën e shteteve perëndimore që të harmonizojë qëndrimet e politikës së jashtme me ato të Brukselit zyrtar.