Botë

SHBA-ja do ta furnizojë Ukrainën me raketa tokë-ajër me rreze të gjata e të mesme veprimi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dhurojnë sisteme raketore tokë-ajër me rreze të mesme dhe të gjata veprimi, të njohura si NASAMS, shkruan CNN-i të hënën.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që aktualisht po merr pjesë në Samitin e G7-s në Gjermani, bëri të ditur se do t’i sigurojë Kievit “sisteme të avancuara raketash dhe municionesh, derisa lufta në Ukrainë po vazhdon”.

Ushtria ukrainase këtë javë pritet të mobilizohet me armatim shtesë. Zyrtarët ukrainas ka kohë që kanë kërkuar sisteme raketore mbrojtëse, të njohura si NASAMS.

SHBA-ja deri më tash i ka dhuruar armë në vlerë miliarda dollarë Ukrainës, që kur nisi lufta më 24 shkurt. Por deri më tash ka hezituar t’i dhurojë armë të tillë me rreze të gjatë veprimi për të mos goditur territorin rus me armë amerikane.