Botë

Vaksinat anti-COVID shpëtuan 20 milionë jetë në vitin e parë, thonë shkencëtarët

Gati 20 milionë jetë u shpëtuan nga vaksinat kundër COVID-19 gjatë vitit të tyre të parë, por edhe më shumë vdekje mund të ishin parandaluar nëse do të ishin arritur objektivat ndërkombëtare për doza të vaksinave, thotë studimi i fundit.

Më 8 dhjetor të vitit 2020, një punonjëse dyqani në pension në Britani të Madhe mori dozën e parë në atë që do të bëhej një fushatë globale vaksinimi. Gjatë 12 muajve të ardhshëm, më shumë se 4.3 miliardë njerëz në mbarë botën u rreshtuan për vaksinat, raportoi Associated Press të shtunën.

Përpjekja, megjithëse e dëmtuar nga pabarazitë e vazhdueshme, parandaloi vdekjet në një shkallë të paimagjinueshme, tha Oliver Watson nga Imperial College London, i cili drejtoi studimin e ri për vaksinat.

“Gjetjet përcaktojnë se sa më e keqe mund të kishte qenë pandemia nëse nuk do t'i kishim këto vaksina", ka thënë Watson.

Studiuesit përdorën të dhëna nga 185 vende për të vlerësuar se vaksinat parandaluan 4,2 milionë vdekje nga COVID-19 në Indi, 1,9 milionë në Shtetet e Bashkuara, 1 milion në Brazil, 631,000 në Francë dhe 507,000 në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas studimit të botuar të enjten në revistën “Lancet Infectious Diseases”, do të ishin parandaluar 600,000 vdekje të tjera nëse objektivi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për mbulimin e vaksinimit prej 40% deri në fund të vitit 2021, do të ishte përmbushur.

Shkencëtarët londinezë përjashtuan Kinën nga studimi për shkak të pasigurisë rreth efektit të pandemisë në vdekjet atje dhe popullsinë e saj të madhe.

Studimi ka kufizime të tjera. Studiuesit nuk përfshinë faktin se si virusi mund të ketë pësuar mutacione në mungesë të vaksinave. Dhe ata nuk morën parasysh faktin se si mund të kishin ndryshuar bllokimet ose mbajtja e maskave nëse vaksinat nuk do të ishin të disponueshme.

Gjetjet nënvizojnë arritjet dhe mangësitë e fushatës së vaksinimit, tha Adam Finn nga Shkolla Mjekësore e Bristol në Angli, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

"Edhe pse ne dolëm mjaft mirë këtë herë - ne shpëtuam miliona e miliona jetë, mund të kishim bërë më mirë dhe duhet të bëjmë më mirë në të ardhmen”, ka thënë Finn.