Botë

Sulm në Oslo, dy të vdekur e dhjetëra të plagosur

Dy persona janë qëlluar për vdekje dhe 14 të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, nga të shtënat në një klub nate dhe rrugët pranë në qendër të kryeqytetit norvegjez Oslo, raportoi BBC të shtunën.

Policia tha se të shtëna kishte edhe në një bar homoseksualësh.

Një i dyshuar është arrestuar dhe janë sekuestruar dy armë.

Policia beson se i dyshuari është i vetmi person i përfshirë në të shtënat. Nuk është dhënë asnjë motiv për sulmin.

"Pashë një burrë që mbërriti me një çantë, ai mori një armë dhe filloi të qëllonte", tha gazetari Olav Roenneberg i transmetuesit publik NRK.

Një grua i tha gazetës Verdens Gang se personi i armatosur kishte goditur me kujdes objektivat e tij. "Kur kuptova se ishte serioze vrapova. Në dysheme ishte një burrë i mbuluar me gjak, i palëvizshëm", tha ajo.

Një tjetër burrë i tha gazetës se kishte parë shumë njerëz në tokë me plagë në kokë.

Oslo do të mbajë paradën e saj vjetore të Krenarisë më vonë të shtunën.

Ministrja e Drejtësisë e Norvegjisë, Emilie Enger Mehl, tha se incidenti kishte tronditur vendin.

"Norvegjia është një komunitet besimi ku të gjithë duhet të ndihen të sigurt jashtë në një të shtune në mbrëmje", tha ajo.