Botë

Nis të rriten rastet me COVID-19 nëpër Evropë

Disa shtete evropiane po përjetojnë rritje të theksuar të rasteve të reja me COVID-19, teksa ekspertët paralajmërojnë se me pothuaj të gjitha kufizimet e hequra rastet mund të ngriten përgjatë verës duke çuar në më shumë vdekje, shkroi The Guardian të martën.

Sipas programit shkencor “Our World in Data”, mesatarja e vazhdueshme e shtatë ditëve me rastet e reja për milion banorë është në rritje në shtetet si Portugalia, Franca, Gjermania, Spanja, Greqia, Holanda dhe Danimarka.

Portugalia ka përjetuar valën më dramatike, me infeksione për milion në një mesatare shtatë-ditore prej 2,043 të hënën – norma e dytë më e lartë e rasteve të reja në botë.

Në Francë, shifra është rritur nga 224 më 13 qershor në 920 brenda një jave. "Pandemia po përshpejtohet përsëri, pavarësisht motit të ngrohtë", tha Benjamin Davido, një specialist i sëmundjeve infektive në spitalin Raymond-Poincaré jashtë Parisit.

Shkalla shtatë-ditore për milion është më e ulët në Gjermani, duke arritur 715 të hënën.

Greqia po ashtu ka parë rritje, nga 377 për milion më 13 qershor në 681 këtë javë.

Në Itali, infeksionet e reja janë rritur nga 354 për milion në 549 brenda një jave. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë i vendit, tha se rastet ishin rritur për të dytën javë radhazi.

Përqindja e pacientëve të infektuar në njësitë e kujdesit intensiv vazhdoi të bjerë, por vetëm një nga 21 rajonet e Italisë konsiderohet ende rrezik "i ulët", me 14 të klasifikuar si "të moderuar" dhe gjashtë të tjerët si "të lartë" për shkak të numrit në rritje të paralajmërimeve.