Botë

Presidenti i Indonezisë do ta takojë Putinin në fund të muajit

Presidenti indonezian dhe kryesuesi aktual i G20, Joko Widodo, do të vizitojë Moskën në fund të këtij muaji për të zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, ka njoftuar të martën agjencia shtetërore e lajmeve e Indonezisë.

Takimet e G20 janë lënë në hije nga lufta në Ukrainë, me Indonezinë që po përpiqet të mbajë grupin e bashkuar, derisa vendet perëndimore kërcënojnë se do të bojkotojnë samitin duke nxitur përjashtimin e Rusisë.

Agjencia e lajmeve “Antara” raportoi se udhëheqësi indonezian, i njohur gjerësisht si Jokowi, ka planifikuar ta takojë Putinin më 30 qershor.

“Po kjo është agjenda e presidentit”, u tha gazetarëve ministri i Sigurisë i Indonezisë, Mahfud MD.

Agjencia shtetërore e lajmeve TASS, gjithashtu ka konfirmuar takimin, duke cituar një burim të Kremlinit.

Jokowi do të marrë pjesë në një samit të G7 në Gjermani që do të zhvillohet më 26-28 qershor para se të udhëtojë për në Moskë, me një ndalesë në Ukrainë gjithashtu, shkruan Reuters.

Teuku Faizasyah, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Indonezisë, konfirmoi se Jokowi do të udhëtojë në Gjermani.

Indonezia në prill njoftoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të ftohej gjithashtu në samitin e liderëve të G20-ës në Bali, në nëntor, por e bëri të qartë se nuk do ta tërhiqte ftesën për Putinin.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, presidenti kanadez Justin Trudeau dhe kryeministri britanik Boris Johnson janë ndër liderët që kanë shprehur kundërshtimin për pjesëmarrjen e Putinit.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, konfirmoi se do të marrë pjesë.

Presidenti indonezian mund të kërkojë gjithashtu të ngrejë çështjen e bllokadës ruse të Odesës, e cila ka reduktuar ndjeshëm dërgesat e ushqimit nga Ukraina, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, kanë thënë analistët politikë.