Botë

“Bild”: Berlini ngrin livrimin e armëve për Turqinë

Berlin, 21 korrik – Qeveria gjermane ka vendosur të ngrijë livrimet e armatimit të parashikuar për Turqinë, për shkak të konfliktit që ka përballur dy vendet për çështjen e të drejtave të njeriut, theksoi e përditshmja më e shitur gjermane “Bild”.

“Qeveria ngrin të gjitha livrimet që janë parashikuar për Turqinë”, shkruan e përditshmja.

Krahu i djathtë i Angela Merkel në kancelarinë gjermane, Peter Altmaier, nuk ka pranuar të konfirmojë këto informacione,por nuk ka përjashtuar masat të tjera kundër Turqisë, pas sanksioneve të përmendura një ditë më parë.

“Ne do të shqyrtojmë në çdo kohë nëse masa të tjera do të jenë të nevojshme”, deklaroi ai për stacionin televiziv ZDF, duke nënvizuar se riorientimi i politikës gjermane kundër Ankarasë ishte një proces që do të shtrihet në kohë.

Nëse ngrirja e livrimit të armëve konfirmohet bëhet fjalë për një përkeqësim tjetër të marrëdhënieve mes dy shteteve aleate në planin ushtarak brenda NATO-s.