Botë

Scholzi thotë se është e nevojshme të bisedohet drejtpërdrejt me Putinin, për t’i dhënë fund luftës

Olaf Scholz i Gjermanisë ka sinjalizuar se do të vazhdojë dialogun me presidentin rus Vladimir Putin, pavarësisht se bisedat mes tyre kanë shkaktuar kritika, shkruan The Guardian.

Kancelari gjerman ka thënë se është absolutisht e nevojshme që disa liderë, si ai dhe presidenti francez Emmanuel Macron, të flasin drejtpërdrejt me Putinin.

Të dy udhëheqësit kanë zhvilluar disa biseda telefonike me Putinin që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Scholz ka thënë se mesazhi i tij për Putinin ishte se "ju duhet të tërhiqni trupat tuaja dhe duhet të gjeni një marrëveshje me Ukrainën që është e pranueshme dhe e drejtë për popullin e Ukrainës".

Kancelari gjerman vizitoi dje presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev së bashku me Macronin dhe kryeministrin italian Mario Draghi.