Botë

Praga heq pllakën përkujtimore për mareshalin sovjetik

Autoritetet komunale në Pragë të Çekisë kanë vendosur të heqin pllakën përkujtimore të një mareshali sovjetik, i cili ka marrë pjesë në çlirimin e qytetit në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Një zëdhënës i zyrës së kryebashkiakut tha se pllaka që nderon mareshalin e Ushtrisë së Kuqe, Ivan Konyev, është hequr për shkak të "pasaktësive historike" në tekstin e saj.

Ai tha se memoriali do t'i jepet Muzeut të Qytetit të Pragës, edhe pse autoritetet janë të gatshme t'ua dhurojnë atë të afërmve të Konyevit në Rusi.

Më 5 maj të vitit 1945, banorët e Pragës janë ngritur kundër forcave pushtuese të Gjermanisë naziste.

Shumë shpejt, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare Ruse i janë bashkuar luftës në anën e kryengritësve.

Më 8 maj, forcat gjermane kanë nisur të tërhiqen nga Praga, pasi kanë nënshkruar armëpushim me kryengritësit.

Më 9 maj, pasi Praga është pastruar pothuajse tërësisht nga gjermanët, atje kanë hyrë njësitet e Ushtrisë së Kuqe nën komandën e Konyevit.

Historianët çekë thonë se në mesin e trupave të Konyevit ka pasur forca të policisë sekrete sovjetike që kanë grumbulluar mijëra qytetarë çekë me reputacion anti-Bolshevik dhe i kanë dërguar ata në kampet sovjetike të punës.