Botë

Kanadaja dhe Danimarka bien dakord pas një mosmarrëveshjeje 49-vjeçare

Kanadaja dhe Danimarka kanë rënë dakord të ndajnë mes tyre një ishull të vogël dhe të pabanuar Arktik, duke i dhënë fund një mosmarrëveshje miqësore prej dekadash të quajtur "lufta e uiskit", shkruan Independent.

Sipas marrëveshjes së përbashkët, kufiri do të tërhiqet përtej ishullit Hans në rrugën ujore midis bregut veriperëndimor të territorit gjysmë autonom danez të Grenlandës dhe ishullit Ellesmere të Kanadasë.

Marrëveshja e re do të thotë se Kanada do të ndajë një kufi tokësor me një vend të ndryshëm nga SHBA-ja.

Ishulli Hans është një shkëmb 1.3 km katror në kalimin detar Arktik pa rezerva minerale. Ndodhet gati 1100 km në jug të Polit të Veriut.

"Marrëveshja dërgon sinjal të qartë se është e mundur të zgjidhen mosmarrëveshjet kufitare... në një mënyrë pragmatike dhe paqësore, ku të gjitha palët bëhen fituese", ka thënë ministri i Jashtëm danez, Jeppe Kofod.

Ai shtoi se ishte "një sinjal i rëndësishëm tani që ka shumë luftëra dhe trazira në botë".

Mosmarrëveshja daton në vitin 1973 kur Kanadaja dhe Danimarka u përpoqën të tërheqin një kufi përmes ngushticës Nares, midis Grenlandës dhe Kanadasë. Megjithatë, ata nuk ishin në gjendje të binin dakord se cili vend duhet të kishte sovranitet mbi ishullin Hans.

Ndërsa shtetet vendosën të zgjidhin çështjen e pronësisë më vonë, mosmarrëveshja territoriale u mbiquajt "lufta e uiskit" gjatë viteve.

Marrëveshja do të zbatohet pasi të kenë përfunduar procedurat e brendshme të dy vendeve. Në Danimarkë, parlamenti duhet së pari të japë pëlqimin e tij për marrëveshjen.