Botë

SHBA “nuk kërkon largimin e menjëhershëm të Assadit”

Shtetet e Bashkuara “nuk do të insistojnë që presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, të lërë pushtetin menjëherë”, si mundësi për zgjidhjen e konfliktit sirian.

“Nuk mendoj se është e rëndësishme për ne që Assad të shkojë së pari”, tha Tom Bossert, këshilltar për antiterrorizëm i presidentit amerikan, Donald Trump.

“SHBA do të donte ta shihte Assadin të ikë në një kohë. Ky do të ishte rezultati i dëshiruar”, tha Bossert.

Pozicioni i Shtëpisë së Bardhë paraqet ndryshim të madh nga politika e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, i cili ka insistuar se Assad duhet të lërë pushtetin në mënyrë që të zgjidhet konflikti civil në Siri.

Edhe fuqitë e tjera perëndimore kanë zbutuar kundërshtimet ndaj Assadit – sidomos Franca me presidentin e ri, Emmanuel Macron, i cili po ashtu thotë se largimi i Assadit nuk është parakusht për paqen në Siri.

Këshilltari i Trumpit, Bossert, tha se në Siri duhet të ketë zgjidhje politike dhe jo ushtarake.

Lufta civile në Siri ka nisur qysh në vitin 2011. Mbi 350,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.