Botë

Bideni viziton Izraelin dhe Arabinë Saudite muajin e ardhshëm

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të bëjë udhëtimin e parë për në Lindjen e Mesme muajin e ardhshëm, duke vizituar Izraelin dhe Bregun Perëndimor, e po ashtu edhe Arabinë Saudite, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë të martën.

Nga 13 deri më 16 korrik, Bideni planifikon të takohet me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, sipas një zyrtari të lartë të administratës që informoi gazetarët në kushtet e anonimitetit, raportoi Associated Press të martën.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane patën deklaruar se Princi Mohammed ka të ngjarë të ketë urdhëruar vrasjen brutale në vitin 2018 të gazetarit me bazë në SHBA, Jamal Khashoggi. Pasi Biden mori detyrën, administrata e tij e bëri të qartë se presidenti do të shmangte angazhimin e drejtpërdrejtë me princin e kurorës dhe në vend të kësaj do të fokusonte në angazhimet e tij me mbretin Salman.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe disa aleatë demokratë e paralajmëruan Bidenin për vizitën mbretërisë së pasur me naftë, duke thënë se një vizitë e tillë do t'u dërgonte një mesazh udhëheqësve sauditë se nuk kanë pasoja për shkeljet e jashtëzakonshme të të drejtave të njeriut. Sauditët janë akuzuar se kanë bërë arrestime masive, ekzekutime dhe ushtruar dhunë për ta shuar disidencën.