Botë

Zelensky kërkon që Gjermania t’i ofrojë mbështetje të qartë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, që të tregojë mbështetje të qartë për Ukrainën.

Në një intervistë për transmetuesin gjerman ZDF të hënën mbrëma, Zelensky ka deklaruar se Gjermania nuk duhet të mundohet ta balancojë interesin ndërmjet Ukrainës dhe marrëdhënieve me Rusinë, raportoi BBC të martën.

“Ne kemi nevojë që kancelari gjerman Scholz të na sigurojë se Gjermania e mbështet Ukrainën. Ai dhe qeveria e tij duhet të vendosin: nuk mund të ketë një balancim ndërmjet Ukrainës dhe marrëdhënieve me Rusinë”, ka thënë Zelensky.

Ditëve të fundit ka pasur spekulime se kancelari Scholz në fund të kësaj jave mund ta bëjë udhëtimin e tij të parë për në Kiev, që kur ka nisur lufta.

Scholzi e ka mbrojtur Gjermaninë ndaj akuzave se nuk do t’i dërgojë në Ukrainë armët që ia ka premtuar këtij vendi për mbrojtje nga Rusia.

Ai ka thënë se para se Gjermania të dërgojë armë moderne, ushtarët ukrainas duhet të trajnohen se si t’i përdorin ato.

Politikanë liderë në Gjermani po e akuzojnë Scholzin se ka vepruar si frenues në dërgesat e armëve.