Botë

Rusët hedhin në erë një urë në Sievierodonetsk

Forcat ruse e kanë hedhur në erë një urë që e lidh Sievierodonetskun me një qytet tjetër përtej lumit, duke ua ndërprerë ukrainasve largimin e civilëve.

Zyrtarët lokalë të Ukrainës deklaruan të dielën se forcat ruse dhe ato ukrainase po luftonin në këtë lokalitet, por që rusët e shkatërruan urën mbi lumin Siversky Donets, që lidh Sievierodonetskun dhe Lysychanks.

Forcat ruse, sipas Reutersit, e kanë marrë pjesën më të madhe të qytetit, por trupat ukrainase vazhdojnë ta kontrollojnë një zonë industriale dhe një fabrikë kimike ku qindra civilë janë strehuar.

Guvernatori i rajonit, Serhiy Haidai, deklaroi se zjarri i së shtunës filloi pas një rrjedhjeje dhjetëra tonësh nafte nga radiatorët e dëmtuar në uzinë.

“Uzina e kimikateve ka qenë nën granatime të rënda për orë të tëra”, tha Haidai.

Ai nuk tha nëse ka viktima dhe nëse zjarri është shuar.