Botë

Rreziku global për ushqim

Lufta në Ukrainë ka tronditur tregjet e drithërave dhe vajrave vegjetale, duke bërë që çmimet botërore të ushqimeve të rriten me një rekord të ri në mars

Disa pjesë të botës rrezikohen nga mungesa e ushqimit si pasojë e bllokimit të porteve të Ukrainës nga Rusia. Sipas OKB-së, afër 50 milionë njerëz mund të përballen me uri si pasojë e krizës së shkaktuar nga lufta. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka paralajmëruar se miliona njerëz në mbarë botën mund të vdesin nga uria nëse Rusia s’e lejon Ukrainën të eksportojë grurë nga portet e saj.

Kombet e Bashkuara kanë dhënë një paralajmërim të tmerrshëm për pasigurinë ushqimore. Sipas tyre, lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shtyjë deri në 49 milionë njerëz në uri ose kushte të ngjashme me urinë. E gjithë kjo për shkak të ndikimit të saj shkatërrues në furnizimin global të ushqimit dhe ndikimin e saj në rritjen e çmimeve.

Ukraina prej kohësh është përshkruar si një nga vendet me prodhimin dhe eksportin më të madh të produkteve bazë të ushqimit.

Pasojat e bllokimit të porteve të Ukrainës nga Rusia kanë ndikuar në rritjen globale të çmimeve dhe kjo mund të shkaktojë një mungesë katastrofike të ushqimit në disa pjesë të botës.

Ukraina, por edhe vetë Perëndimi, po e akuzojnë Moskën se po e përdor zinxhirin e furnizimit si armë lufte.

Pushtimi rus ka ndikuar në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit të ushqimit të Ukrainës, që nga mbjellja, te korrja e deri te eksportet.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, si pasojë e luftës, 20 deri në 30% e tokës bujqësore të Ukrainës sivjet do të mbetet ose e pambjellë ose e pakorrur.

Kjo është pjesërisht për shkak se rreth gjysma e sipërfaqes së mbjellë me grurë dimëror dhe rreth 40% e sipërfaqes së mbjellë me thekër ishin nën pushtimin rus në mars, duke ndërprerë sezonin e mbjelljes.

Lufta ka shkaktuar gjithashtu mungesa punëtorësh, si pasojë e largimit nga vendi ose përfshirjes në njësitë vullnetare të forcave të armatosura të Ukrainës.

Gjithashtu edhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura kundër Rusisë kanë pasur ndikim në furnizimet globale të karburantit, plehrave dhe prodhimeve.

Autoritetet ukrainase dhe disa zyrtarë ndërkombëtarë kanë akuzuar Rusinë për grabitjen të grurit dhe mallrave të tjera në zonat që ajo pushton. Zyrtarë ukrainas kanë thënë se rreth 600 mijë tonë grurë janë vjedhur nga Rusia.

Kremlini i ka mohuar akuzat, duke i quajtur ato “lajme të rreme”. Por janë shfaqur imazhe satelitore që kanë treguar anijet ruse duke u ngarkuar me grurë ukrainas.

Në kohë normale, Ukraina do të eksportonte rreth tre të katërtat e drithit që prodhon. Për shkak të bllokimit të porteve, Ukraina s’mund të eksportojë as drithërat që i ka nën kontroll.

E transporti hekurudhor po rezulton sfidues si pasojë e asaj që trenat e Ukrainës lëvizin në shina pak më të gjera se ato në pjesën më të madhe të Evropës, që do të thotë se ngarkesat në kufi duhet të zhvendosjen nga një grup vagonësh në tjetrin.

Akuzat se Rusia po përdor ushqimin si armë lufte janë shtuar që kur u shfaqën raportet e para në mars për vjedhjen e grurit nga trupat ruse.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën tha se ushqimi është bërë pjesë e “arsenalit të terrorit” të Kremlinit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka paralajmëruar se miliona njerëz në mbarë botën mund të vdesin nga uria nëse Rusia s’e lejon Ukrainën të eksportojë grurë nga portet e saj.

Sipas të dhënave OKB-së, vendet më të rrezikuara në botë janë: Libani, Tunizia, Somalia dhe Libia.