Botë

Rusia afër pushtimit të plotë të Donbasit

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha të martën se forcat e Moskës kontrollojnë afërsisht të gjithë provincën e Luhanskut. Duket se Rusia tani okupon afërsisht gjysmën e provincës së Donjeckut, thonë zyrtarët ukrainas dhe analistët ushtarakë

Rusia iu afrua qëllimit të saj për marrjen e plotë të qendrës industriale ukrainase të minierave dhe fabrikave të qymyrit derisa Kremlini pretendoi të ketë marrë kontrollin e 97% të njërës prej dy provincave që e përbëjnë rajonin e Donbasit.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha të martën se forcat e Moskës kontrollojnë afërsisht të gjithë provincën e Luhanskut. Duket se Rusia tani okupon afërsisht gjysmën e provincës së Donjeckut, thonë zyrtarët ukrainas dhe analistët ushtarakë.

“Mini-Rusitë” e Ukrainës

Pas heqjes dorë prej përpjekjes së ngathët për të sulmuar Kievin dy muaj më parë, Rusia deklaroi se marrja e të gjithë Donbasit është objektivi kryesor. Seperatistët e mbështetur nga Moska janë duke ballafaquar forcat qeveritare ukrainase në Donbas që nga 2014-a dhe rajoni ka përballuar goditjen e sulmit rus në javët e fundit.

Në fillim të luftës trupat ruse po ashtu morën kontrollin e gjithë rajonit të Khersonit dhe një pjesë të madhe të rajonit Zaporizhzhia, të dyja në jug. Zyrtarët rusë dhe të emëruarit e tyre lokalë kanë biseduar për planet për këto rajone që ose të deklarojnë pavarësinë e tyre, ose të jenë pjesë e Rusisë.

Por se çfarë mund të jetë instanca e fundit e sabotazhit antirus brenda Ukrainës, media shtetërore ruse tha të martën se një eksploziv në një kafene në qytetin e Khersonit plagosi katër persona. Tass e quajti bombardimin e dukshëm në qytetin e okupuar rus si “akt terrorist”.

Para invazionit të 24 shkurtit zyrtarët ukrainas thanë se Rusia kontrollon një 7% të vendit, përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e kishte aneksuar në vitin 2014, dhe hapësirat të mbajtura nga separatistët në Donnjeck dhe Luhansk. Javën e kaluar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ruse kontrollojnë 20% të vendit.

“Mbrojtja absolutisht heroike e Donbasit”

Përderisa Rusia ka fuqi superiore armatimi, mbrojtësit ukrainas janë të vendosur dhe kanë treguar aftësi për të kundërsulmuar. Zelensky tha se forcat ruse nuk kanë bërë ndonjë arritje të theksuar në rajonin lindor të Donbasit gjatë ditës së djeshme.

“Mbrojtja absolutisht heroike e Donbasit vazhdon”, tha ai të martën vonë në video-adresimin e tij.

Zelensky tha se rusët qartë nuk kanë pritur të përballen me kaq shumë rezistencë dhe tani po mundohen të sjellin trupa dhe pajisje shtesë. Ai tha të njëjtën edhe për rajonin e Khersonit.

Duke folur herët në një konferencë të “Financial Times”, Zelensky insistoi në nevojën e Ukrainës për të mposhtur Rusinë në fushëbetejë, por gjithashtu tha se është ende i hapur për bisedime paqësore me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Por një ish-oficer i lartë i inteligjencës amerikane tha se koha nuk është e duhur.

“Ju nuk do të arrini tavolinën e negociatave derisa asnjëra palë nuk ndien se ka një avantazh që mund ta shtyjnë përpara”, tha Andrea Kendall-Taylor me bazë në qendër të Washingtonit për New American Security.

Rusët “mendojnë se ata do të jenë në gjendje të marrin kontrollin e të gjithë Donbasit dhe pastaj ndoshta mund të shfrytëzojnë atë si mundësi për të thirrur negociatat”, u shpreh Kendall-Taylor në një seminar online të organizuar nga universitetet e Columbias dhe New Yorkut.

Shoigu, ministri rus i Mbrojtjes, tha se forcat e Moskës kanë pushtuar lagjet rezidenciale të Severodonnjeckut dhe po luftojnë të marrin nën kontroll një zonë industriale në periferitë e qytetit dhe qytetet përreth.

Taktika e tokës së djegur

Në Severodnjeck dhe Luhansk ka pasur luftime të ashpra në javët paraprake. Ato janë prej pak qyteteve dhe vendeve në rajonin e Luhanskut që ende po mbahen kundër pushtimit rus, i cili po ndihmohet nga forcat lokale pro-Kremlinit.

Shoigu shtoi se trupat ruse shtuan sulmet drejt qytetit Popasna dhe kanë marrë kontrollin e Lymanit dhe Sviatohirskut dhe 15 qytete të tjera në rajon.

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, u kërkoi njerëzve të tij të mos zhgënjehen për ndryshimet në fushëbetejë.

“Mos lejoni lajmet se ne kemi dorëzuar diçka t’ju trembin”, tha ai në një video-adresim. ”Është e qartë se këto manovra taktike janë të vazhdueshme. Ne dorëzojmë diçka, ne marrim diçka mbrapsht”.

Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai, pranoi se forcat ruse kontrollojnë zonat industriale të Severodonnjeckut.

“Fushëbetejat më të vështira vazhdojnë, me shkallë të ndryshme të suksesit”, tha Haidai.”Situata vazhdimisht ndryshon, por ukrainasit po u kundërpërgjigjen sulmeve”.

Forcat e Moskës po ashtu vazhduan breshërinë e artilerisë të Lysychanskut. Haidai tha se trupat ruse granatuan një qendër tregtare, një shkollë dhe një ndërtesë kolegji, duke e rrënuar këtë të fundit. Të paktën tre persona u plagosën, tha ai.

“Po kryhet një shkatërrim total i qytetit. Granatimet ruse janë intensifikuar ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit. Rusët po përdorin taktika të djegies së tokës”, tha Haidai.

SHBA-ja trajnon Ushtrinë ukrainase

Ndërkohë ushtria amerikane ka filluar trajnimin e forcave ukrainase në lansimin e disa raketave të sofistikuara që administrata e Bidenit u dakordua javën e kaluar t’i sigurojë. Pentagoni tha se trajnimi po zhvillohet në një bazë në Gjermani dhe diku në Evropë.

Sistemi i Lartë i Mobilitetit të Artilerisë së Raketave ose HIMARS është i montuar në një kamion dhe mund të mbajë një kantier me gjashtë raketa, që mund të godasin deri në 70 kilometra caqet. Zyrtarët thanë se trajnimi do të zgjasë rreth tri javë para se ukrainasit të mund të kthehen në fushëbetejë.

Në zhvillime të tjera, Zelenskyy tha se Ukraina ka planifikuar të publikojë një “Libër për ekzekutuesit” special javën e ardhshme me informacionet për krimet e bëra nga Ushtria Ruse.

“Këto janë fakte specifike për njerëz specifikë që janë fajtorë për krime të rënda ndaj ukrainasve”, tha ai. Këta emra jo vetëm që do të përfshijnë njerëzit që ishin përgjegjës për krimet, por edhe komandantët e tyre, tha ai.

Përktheu: Forca Jashari