Botë

Bullgaria me qeveri të pakicës

Bullgaria me qeveri të pakicës

Kryeministri i Bullgarisë ka thënë se do të ecë përpara me një qeveri të pakicës pas tërheqjes së një prej katër partive nga qeveria e vendit, raportoi AP-ja të mërkurën.

Kryeministri Kiril Petkov tha se është më mirë një qeveri e pakicës sesa zhvatja nga një partner.

“Një qeveri e pakicës është më e mirë se ajo që është nën presion të vazhdueshëm dhe zhvatet (nga një partner koalicioni)”, tha ai.

Tre ministra të partisë populiste “ITN” u larguan nga qeveria, mes tyre edhe ministrja e Jashtme Teodora Genchovska, duke vënë në rrezik të ardhmen e koalicionit qeverisës. Kreu i partisë së tyre, Slavi Trifonov, përmendi mosmarrëveshjet për rishikimin e buxhetit të shtetit të propozuar nga kryeministri, teksa e akuzoi atë se po e çon vendin drejt falimentimit, duke ngritur borxhe të reja.

Trifonov akuzoi gjithashtu kryeministrin se ka injoruar interesat kombëtare të Bullgarisë duke bërë lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut në mënyrë që ajo të mund të fillojë bisedimet e pranimit në Bashkimin Evropian.

“Nga sot, po tërheq ministrat tonë dhe po i jap fund këtij koalicioni dhe kësaj agonie”, ka thënë Trifonov.

Koalicioni udhëheqës 4-partiak ka 134 ulëse nga 240 në Parlament, por pa mbështetjen e 23 deputetëve të Trifonovit nuk do të ishte shumicë.