Botë

Serbë të paktë protestojnë kundër Lavrovit: “Në Hagë, jo në Beograd”

Disa serbë kanë protestuar të hënën në Beograd, në lidhje me vizitën tashmë të anuluar të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, bëri të ditur AP-ja.

Protestuesit e paktë mbanin në duar panon me mbishkrimin “Në Hagë, jo në Beograd”, duke iu referuar krimeve ruse në Ukrainë dhe përgjegjësisë së Lavrovit për to.

Në Hagë, ka bazën Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC). Është e para dhe e vetmja gjykatë ndërkombëtare e përhershme me juridiksion për të ndjekur penalisht individët për krimet ndërkombëtare të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e agresionit.

Lavrovi anuloi vizitën në Beograd që ishte paraparë për 7 qershor, pasi katër shtete të rajonit: Rumania, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ndaluan fluturimin e avionit me Lavrovin në bord mbi hapësirat e tyre ajrore.

Kjo vizitë e anuluar tashmë, kishte vënë në pikëpyetje vizitën e kancelarit gjerman Olaf Szholz, e paralajmëruar për 10 qershor në Beograd.