Botë

Spanja po e furnizon Ukrainën me raketa antiajrore e tanke

Spanja do ta furnizojë Ukrainën me raketa antiajrore e me tanke luftarake “Leopard”, si shenjë e rritjes së mbështetjes për forcat ukrainase në luftë ndaj Rusisë.

Siç njofton Reuters të dielën, spanjollët do t’i ofrojnë ukrainasve edhe trajnime thelbësore se si t’i përdorin tanket. Trajnimi do të kryhet në Letoni, ku ushtria spanjolle i ka dislokuar 500 ushtarë në kuadër të operacionit të NATO-s.

Sipas burimeve të mediumit “El Pais”, faza e dytë e trajnimit do të zhvillohet në Spanjë. Ministria e Mbrojtjes është duke e finalizuar dorëzimin e raketave dhe të tankeve në Kiev. Deri më tani, Spanja e ka furnizuar Ukrainën me municion, pajisje mbrojtëse e armë të lehta.

Shtimi i përkrahjes për Ukrainën vjen pasi kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, e vizitoi Kievin dhe u takua me presidentin Volodymyr Zelensky, më 21 prill.