Botë

Ukraina bën thirrje që t’i jepet fund bllokadës detare ruse

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë se po punon me vende tjera si pjesë e fushatës së saj për t’i dhënë fund bllokadës detare ruse të porteve të saj, në mënyrë që eksportet e grurit të rifillojnë.

Kievi ka thënë se dëshiron që OKB-ja të ndërhyjë për të rivendosur aksesin e saj në Detin e Zi, në mënyrë që të mund të rifillojë dërgesat e prodhimeve bujqësore.

Anije ruse po pengojnë anijet ukrainase të largohen nga porti, që do të thotë se miliona tonë drithë nuk mund të dorëzohen. Shumë vende tani po përballen me mungesë gruri dhe mungesa furnizimit po kontribuon në rritjen e çmimeve për ushqimet kryesore, shkruan BBC.

“Ne u bëjmë thirrje vendeve, siguria ushqimore e të cilave mund të dobësohet më shumë nga agresioni rus kundër Ukrainës, të përdorin kontaktet e tyre me Moskën për ta detyruar atë të heqë bllokadën e porteve detare të Ukrainës dhe t’i japë fund luftës”, ka shkruar në Facebook zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleg Nikokenko.

Një numër vendesh afrikane janë goditur nga rritja e çmimeve dhe presidenti senegalez, Macky Sall, ka thënë se do të takohet nesër me Vladimir Putinin e Rusisë për të diskutuar krizën. Zyra e tij tha se vizita do të synojë çlirimin e rezervave të drithërave dhe plehrave si dhe të lehtësojë konfliktin.