Botë

HIMARS: Sistemi raketor i SHBA-së që do të dërgohet në Ukrainë

SHBA-ja u pajtua ta dërgojë në Ukrainë sistemin raketor me lëvizshmëri të lartë M142, apo HIMARS. Nuk është ende e qartë se sa të tillë do të dërgohen, por ky armatim do t’i fuqizojë dukshëm kapacitetet e Ukrainës në luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Sistemi kërkon një ekuipazh prej tre personash, përfshirë një shofer, një gjuajtës dhe një komandant, të cilët ulen brenda kabinës së mjetit, derisa raketat lëshohen. HIMARS-ët janë të blinduar kundër predhave dhe armëve të vogla. Po ashtu janë të lehtë për t'u transportuar me disa avionë.

Arma amerikane mund të lëshojë gjashtë raketa nga familja e predhave “MFOM”, me saktësi të mjaftueshme për të goditur një cak deri në 70 kilometra larg. Ajo është shumë më e saktë se lëshuesit sovjetikë të raketave, apo ata të prodhuar në Rusi.

HIMARS, gjithashtu, mund të gjuajë raketa taktike 1.7 ton të rënda, me rreze veprimi deri në 310 kilometra. Por, Uashingtoni ka konfirmuar se këto raketa me rreze më të gjatë nuk do t’i ofrohen Kievit.

“Ne nuk do të dërgojmë në Ukrainë sisteme raketash që mund të godasin Rusinë”, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden, më 30 maj.

Një ditë më vonë, ai ka konfirmuar se SHBA-ja do të dërgojë në Ukrainë “sisteme raketash dhe municione më të avancuara, që do t’iu mundësojnë ukrainasve të godasin më saktë objektivat” në vendin e tyre.

Raketat më të vogla MFOM, potencialisht, mund të arrijnë dhjetëra kilometra brenda Rusisë, por qendrat kryesore civile janë të paarritshme për to. Ukraina “e ka siguruar” Uashingtonin se raketat amerikane nuk do të lëshohen nga HIMARS, për të goditur objektiva brenda territorit rus. /Rel