Botë

BE-ja arrin kompromis për ndalimin e importit të naftës ruse

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë pajtuar për të bllokuar më shumë se dy të tretat e importeve të naftës ruse.

Ky ndalim është një kompromis që nuk do të ndikojë aktualisht në importet e naftës në tubacione, pas kundërshtimit nga Hungaria.

Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se marrëveshja ndërpreu “një burim të madh financimi” për makinën ruse të luftës, shkruan BBC-ja të martën.

Ndalimi është pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të miratuara në një samit në Bruksel, e cila kërkon pajtimin e 27 vendeve anëtare.

Michel tha se BE-ja ka rënë dakord gjithashtu për masa tjera që synojnë bankën më të madhe ruse, Sberbank dhe tre transmetues shtetërorë.

Anëtarët e BE-së kaluan orë të tëra duke u përpjekur për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre rreth ndalimit të importeve të naftës ruse, me Hungarinë e cila është kundërshtarja kryesore e kësaj mase.

Kompromisi erdhi pas disa javësh diskutime, derisa u ra dakord se do të ketë “një përjashtim të përkohshëm për naftën që vjen përmes tubacioneve në BE”, tha Michel gazetarëve.

Për shkak të kësaj, sanksionet e menjëhershme do të prekin vetëm naftën ruse që transportohet në BE përmes detit, që përbën dy të tretat e totalit të importuar nga Rusia.