Botë

FBI-ja pengoi komplotin terrorist për vrasjen e Bushit

FBI-ja pengoi komplotin terrorist për vrasjen e Bushit

Një simpatizant i Shtetit Islamik kishte planifikuar ta vriste ish-presidentin e SHBA-së, George W Bush, por komploti ishte zbuluar nga FBI-ja, kanë zbuluar autoritetet amerikane të martën.

I dyshuari, banor i Ohios, dyshohet se kërkoi që operativët irakianë të futeshin ilegalisht në SHBA nga Meksika për operacionin, raportoi BBC.

Ai tani është në mbajtje dhe ka dalë para një gjykate të martën.

FBI-ja përdori informatorë dhe pajisje elektronike për ta zbuluar planin e tij.

Sipas dokumenteve të gjykatës, i dyshuari – i identifikuar si Shihab Ahmed Shihab – është irakian i cili ka qenë në SHBA që nga viti 2020.

Në bisedat me burime të FBI-së, Shihab tha se ai dëshironte ta vriste Bushin për “vrasjen e shumë irakianëve” dhe “ndarjen” e Irakut.

Ai shtoi se shpresonte të merrte vetë pjesë në operacion dhe nuk i interesonte nëse vdiste.

Dy persona që ai shpresonte t’i fuste në SHBA u përshkruan si ish-agjentë të inteligjencës irakiane me eksperiencë vrasjeje.

Shihab përballet me 10 vjet burgim për tentim të sjelljes ilegale të dikujt në SHBA dhe 20 vjet të tjera për tentim vrasjen e një ish-zyrtari amerikan.