Botë

Lavrov: Rusia e fokusuar në zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska do të shqyrtojë ofertat nga Perëndimi për të rivendosur lidhjet, por tash për tash do të fokusohet në zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën.

Lavrov akuzoi vendet perëndimore se po e mbështesin “rusofobinë” që kur Moska filloi “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë.

“Nëse Perëndimi dëshiron të ofrojë diçka në lidhje me rifillimin e marrëdhënieve, atëherë ne do të shqyrtojmë seriozisht nëse do të na duhet apo jo”, ka thënë ai, shkruan BBC-ja.

Ai ka thënë se Rusia duhet të pushojë së qeni e varur në çfarëdo mënyre nga furnizimet që vijnë nga Perëndimi.

Sipas tij, qëllimi i Moskës tani është të zhvillojë më tej lidhjet me Kinën.

Ai ka thënë se Rusia do të mbështetet “vetëm te vetja dhe në vendet që janë treguar të besueshme ndaj saj”.

“Nëse vendet perëndimore ndryshojnë mendje dhe propozojnë një formë bashkëpunimi, atëherë ne mund të vendosim”, ka thënë ai.