Botë

Emisari rus jep dorëheqjen shkaku i “luftës agresive”

Ukraina ndërkaq ka ekspozuar në zemër të Kievit tanke dhe automjete të tjera të djegura ruse si trofe lufte në ditën kur ka dënuar me burgim të përjetshëm ushtarin e parë rus që e qëlloi një civil ukrainas. Presidenti Zelenskyy i ka kërkuar Perëndimit t’i vërë embargo të plotë naftës ruse

Një veteran 20-vjeçar i shërbimit diplomatik të Rusisë njoftoi dorëheqjen e tij të hënën në shenjë proteste ndaj luftës së vendit të tij kundër Ukrainës, raportuan shumë media.

Në një protestë të rrallë publike nga një zyrtar rus, Boris Bondarev, diplomat i dërguar në misionin rus në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, postoi një deklaratë në një llogari në LinkedIn duke dënuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe duke kritikuar Ministrinë e Punëve të Jashtme ruse për bashkëpunim në atë që ai e përshkroi si një "luftë agresive" - ​​gjuhë që është e ndaluar në Rusi sipas ligjeve të censurës gjatë kohës së luftës.

“Lufta agresive e nisur nga Putini kundër Ukrainës dhe në fakt kundër gjithë botës perëndimore, nuk është vetëm një krim kundër popullit ukrainas, por gjithashtu, ndoshta, krimi më i rëndë kundër popullit të Rusisë, me një shkronjë të theksuar Z, të gjitha shpresat dhe perspektivat për një shoqëri të lirë të begatë në vendin tonë”, ka shkruar ai.

Gazeta e respektuar ruse e biznesit, “Kommersant”, kontaktoi Bondarevin, i cili konfirmoi vërtetësinë e postimit. “New York Times” konfirmoi letrën e dorëheqjes dërguar diplomatëve në Gjenevë me email.

Misioni rus në OKB në Gjenevë refuzoi të komentonte mbi këtë çështje për CNN-në dhe Bondarev nuk iu përgjigj mesazheve të dërguara në llogarinë LinkedIn.

Në Ukrainë, një ekspozitë e tankeve dhe e automjeteve të tjera të blinduara ruse është hapur në sheshin qendror të Kievit, në përpjekje për t'ua treguar banorëve të kryeqytetit pasojat e vërteta të luftës që po zhvillohet në rajonet lindore të vendit.

Qytetarët kanë mirëpritur ekspozimin e atyre që i konsiderojnë trofe lufte.

"Sigurisht, ekspozita si kjo duhet të mbahen në mënyrë që çdo ukrainas, madje edhe ata që nuk kanë pasur kurrë rastin të përballen me luftën, të shohin se Ukraina përballet me një problem global, se ne duhet ta mbrojmë atdheun tonë. Edhe nëse armiku është larg, ai mund të afrohet shumë shpejt. Duhet t'i njoftoni njerëzit”, ka deklaruar Oleksandr, qytetar i Kievit.

Ushtaraku Serhiy Polishchuk tha se duhet t’u tregohet bashkatdhetarëve të tij se ushtria po shkatërron armikun rus. Ai është i bindur se luftëtarët ukrainas do ta çlirojnë mbarë vendin.

"Në përgjithësi menduam se ishte e nevojshme të bënim një memorial të tërë. Aty ku do të ketë shumë tanke për të parë se si është”, ka theksuar Sophia, qytetare e Kievit. “Mirë, është interesante të shihet se si duket e gjitha dhe vërtet të krijohet përshtypja se ata po godasin caqet, dhe thjesht gjithçka digjet, prishet, domethënë duket qartë se janë qëlluar me armë të fuqishme, prandaj është mbresëlënëse”.

Ndërkohë, një gjykatë ukrainase dënoi një ushtar rus 21-vjeçar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një civili ukrainas, në gjykimin e parë për krime lufte që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Vadim Shishimarin u akuzua se kishte qëlluar në kokë një civil ukrainas në një fshat në rajonin verior Sumi në ditët e para të luftës. Ai pranoi fajësinë dhe dëshmoi se e qëlloi burrin pasi u urdhërua ta bënte këtë. Ai i tha gjykatës se një oficer këmbënguli që ukrainasi, i cili po fliste në celularin e tij, mund t'u tregonte me saktësi vendndodhjen e forcave ukrainase.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë thirrje për sanksione më të ashpra kundër Rusisë. Këtë kërkesë e ka shtruar gjatë adresimit virtual në ditën e parë të Forumit Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës, ku po marrin pjesë shefa ekzekutivë korporatash, zyrtarë qeveritarë dhe figura të fuqishme botërore.

Zelenskyy ka kërkuar embargo të plotë ndaj naftës ruse. Lideri ukrainas ka kërkuar gjithashtu që të ndërpritet çdo bashkëpunim tregtar me Rusinë agresore.