Botë

Lajmin për darkën sekrete me Putinin, Trump e quan “pjellë të një mendjeje të sëmurë”

Ka pasur dhe një takim të dytë Trump-Putin në samitin e G20-s këtë muaj, i cili nuk është raportuar në media.

Bisedimet mes dy liderëve janë zhvilluar pas një mbledhjeje zyrtare në kuadër të samitit, por Shtëpia e Bardhë nuk ka nxjerrë detaje të këtyre diskutimeve.

Presidenti amerikan iu rikthye etiketimit të preferuar “fake news” për të hedhur poshtë pretendimet e një pjese të shtypit se në fakt, ky i dyti kishte qenë një “takim sekret” me shefin e Kremlinit, transmeton Tch.

Marrëdhënia mes tyre është sot në qendër të vëmendjes për shkak të pretendimeve të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-s.

Mediat amerikane thonë se takimi i dytë zgjati një orë. Trump ishte vetëm, ndërsa Putin shoqërohej nga përkthyesi i tij zyrtar. Duke qenë se askush tjetër nuk ishte i pranishëm, i vetmi variant i asaj çfarë është diskutuar në përballjen kokë më kokë është ai që vetë Donald Trump u ka përcjellë zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas kësaj të fundit, në takim u përdor përkthyesi rus, sepse ai amerikan nuk fliste rusisht, ndërsa pretendimet se qeveria amerikane është përpjekur ta mbulojë ekzistencën e takimit të dytë i cilëson të rreme, dashakeqe dhe absurde.

Trump më vonë shkroi në Twitter se lajmi “fake news” i një darke sekrete me Vladimir Putin është pjellë e “një mendjeje të sëmurë”. Të gjithë liderët e G20-s dhe bashkëshortet e tyre ishin ftuar nga kancelarja e Gjermanisë. Shtypi e dinte, vazhdon republikani.

Herën e parë kur shtrënguan duart, Trump pretendon se e ka pyetur Presidentin rus jo një, por dy herë nëse kishte pasur gisht në ndërhyrjen në zgjedhje dhe në të dy rastet ai i është përgjigjur pa ngurrim: Absolutisht jo!