Botë

Bie fortifikata e fundit ukrainase në qytetin port

Ushtria ukrainase gjatë kësaj jave u ka thënë ushtarëve të bllokuar në fabrikë se misioni i tyre kishte përfunduar dhe se mund të dorëzoheshin. Daljen e tyre nga fabrika, shteti ukrainas e ka cilësuar si evakuim dhe jo si dorëzim.

Rusia ka thënë se ka marrë kontrollin e fabrikës së çelikut në Mariupol, e cila u bë simbol i rezistencës ukrainase kundër forcës ruse. Suksesi në Mariupol i jep presidentit Vladimir Putin fitoren e shumëkërkuar në luftën të cilën vetë e nisi. Pushtimi i plotë shënon fundin e rrethimit tremuajsh gjatë të cilit qyteti u bë rrafsh me tokë dhe 20 mijë banorë dyshohet se kanë vdekur.

Pasi Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se forcat kishin larguar nga fabrika ushtarët e mbetur ukrainas, u shtuan shqetësimet për fatin e ukrainasve që tani janë të burgosur të Rusisë.

Denis Pushilin, mbikëqyrës i një pjese të Ukrainës lindore që kontrollohet nga separatistët e përkrahur nga Moska, ka thënë të shtunën se ushtarët ukrainas përballen me tribunal për veprimet e tyre në luftë.

“Besoj se tribunali është i pashmangshëm. Besoj se drejtësia duhet të vihet në vend. Ka kërkesë për këtë nga njerëzit e zakonshëm, shoqëria”, citohet të ketë thënë Pushilin.

Zyrtarët rusë dhe mediat shpesh kanë tentuar të përshkruajnë ushtarët ukrainas në fabrikën “Azovstal” si neonazistë. Në mesin e më shumë se 2 mijë e 400 ushtarëve ishin edhe anëtarët e Regjimentit Azov, njësi e gardës kombëtare me rrënjë të krahut të djathtë ekstrem.

Qeveria ukrainase nuk ka komentuar pohimin e Rusisë për pushtimin e “Azovstalit”, që në javët e fundit ishte fortifikatë e rezistencës ukrainase.

Ushtria ukrainase gjatë kësaj jave u ka thënë ushtarëve të bllokuar në fabrikë se misioni i tyre kishte përfunduar dhe se mund të dorëzoheshin. Daljen e tyre nga fabrika, shteti ukrainas e ka cilësuar si evakuim dhe jo si dorëzim.

Fundi i betejës për Mariupolin do ta ndihmonte Putinin të kompensonte disa pengesa, duke përfshirë dështimin e ushtrisë ruse për të pushtuar kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, fundosjen e anijes së marinës ruse në Detin e Zi dhe rezistencën e vazhdueshme ukrainase që ka pamundësuar pushtimin e tërësishëm të pjesës lindore.

Ndikimi i fitores së shpallur të Rusisë në luftën më të gjerë në Ukrainë mbetet i paqartë. Shumë trupa ruse tashmë janë tërhequr nga Mariupoli.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka raportuar të shtunën se Rusia kishte shkatërruar një bazë të operacioneve speciale ukrainase në rajonin e Odesas në Detin e Zi, si dhe një depo të konsiderueshme armësh që ishte furnizuar nga Perëndimi në rajonin Zhytomyr.

Në raportin operacional të mëngjesit të së shtunës, shtabi i përgjithshëm ushtarak ukrainas ka raportuar luftime të rënda në pjesën më të madhe të Ukrainës lindore, duke përfshirë zonat e Sievierodonetsk, Bakhmut dhe Avdiivka.

Pas dështimit për të kapur Kievin, Rusia e përqendroi ofensivën e saj në qendrën industriale lindore të vendit. Separatistët e mbështetur nga Rusia kanë kontrolluar pjesë të rajonit të Donbasit që nga viti 2014 dhe Moska dëshiron të zgjerojë territorin nën kontrollin e saj.

Pushtimi i Mariupolit nxit përpjekjet e Rusisë për të krijuar në thelb urën tokësore që shtrihet përmes rajonit të Donbasit deri në Krime, të cilën Moska e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.