Botë

Koreja e Veriut mund të lëshojë raketë gjatë vizitës së Bidenit në Azi

Foto: The Guardian

Inteligjenca amerikane ka treguar se ekziston “një mundësi reale” që Koreja e Veriut do ta kryejë një tjetër testim të raketës balistike ose testim bërthamor rreth kohës kur presidenti Joe Biden viziton Korenë e Jugut dhe Japoninë gjatë javës, shkroi AP-ja të mërkurën.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se SHBA-ja po përgatitet që Koreja e Veriut të kryejë një test të raketave me rreze të gjatë, ose test bërthamor, apo të dyja në ditët përpara, gjatë ose pas vizitës së Bidenit. Presidenti pritet të mbërrijë në Korenë e Jugut të premten dhe në Japoni të dielën.

“Ne po përgatitemi për të gjitha mundësitë përfshirë edhe atë që një provokim i tillë mund të ndodhë derisa gjendemi në Kore ose në Japoni”, tha Sullivan.

Koreja e Veriut në muajt e fundit ka testuar një sërë raketash si pjesë e asaj që ekspertët e quajnë përpjekje për të modernizuar armët e veta dhe t’u bëjë presion rivalëve të saj që ta pranojnë vendin si shtet me kapacitet bërthamor dhe të lehtësojnë sanksionet.

Kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut pritet të jetë në krye të agjendës kur Bideni do të takojë presidentin jug-korean, Yoon Suk Yeol.