Botë

Koreja e Jugut e gatshme t’i ndihmojë Veriut në luftën kundër koronavirusit

Descriptive Text

Koreja e Jugut është shprehur e gatshme t’i dalë në ndihmë Koresë së Veriut, pas shpërthimit të rasteve të reja me koronavirus, njoftoi Reuters të hënën.

Presidenti i Kortesë së Jugut, Yoon Suk-yeol, deklaroi se vendi nuk do të kursejë përpjekjet për ta ndihmuar Veriun, derisa përmendi edhe furnizimin me vaksina.

“Nëse Koreja e Veriut i përgjigjet mbështetjes sonë, ne nuk do të kursejmë asnjë ilaç, përfshirë vaksinat për COVID-19, pajisjet mjekësore dhe personelin shëndetësor”, tha ai.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, e ka urdhëruar ushtrinë që t’i dalë në ndihmë popullatës me shpërndarje të medikamenteve përgjatë një vale të rasteve me koronavirus që po kalon vendi.

Mbi një milion njerëz aktualisht janë të sëmurë nga “ethet”, siç njofton Pyongyangu zyrtar, derisa rreth 50 persona kanë vdekur, por janë ngritur dilema se sa prej tyre ishin të infektuar me koronaviurs.

Koreja e Veriut ka kapacitete të kufizuara testuese, kështu që ka pak raste të konfirmuara. Për shkak të mungesës së vaksinës dhe sistemit të dobët shëndetësor, Koreja e Veriut është më e rrezikuara nga pandemia globale. Ditëve të fundit u vendos një kufizim mbarëkombëtar.

Kim Jong-un akuzoi autoritetet shëndetësore për prishje të shpërndarjes së rezervave kombëtare.

Lideri verior, përhapjen e pandemisë, e quajti katastrofë të madhe këtë të shtunë.

Koreja e Veriut rastet e para me COVID-19 i konfirmoi javën e kaluar, por ekspertët besojnë se virusi ka qarkulluar tash e sa kohë.

Komiteti ndërkombëtar i kishte ofruar Koresë së Veriut miliona vaksina anti-COVID AstraZeneca, por autoritetet i refuzuan me arsyetimin se situata ishte “nën kontroll”.