Botë

Policia izraelite do t'i hetojë ngjarjet rreth funeralit të gazetares palestineze

Policia izraelite e Jeruzalemit ka deklaruar se do të zhvillojë një hetim për ngjarjet që pasuan gjatë varrimit të gazetares së Al Jazeeras, Shireen Abu Akleh të premten.

"Fatkeqësisht, gjatë rrjedhës së funeralit, ngjarje të rënda të dhunshme ndodhën nga ana e pjesëmarrësve që përkeqësuan situatën”, ka thënë ministri izraelit i Sigurisë Publike, Omer Bar-Lev të dielën për CNN-in.

Ai ka shtuar se ekipi hetimor i emëruar nga Komisioneri i Policisë, Kobi Shabtai, dhe i kryesuar nga gjenerali Anna Ben Mordechai, i njohur me zonën në të cilën u zhvillua funerali, do të zhvillojë një hetim gjithëpërfshirës për atë që ndodhi gjatë varrimit.

Policia izraelite u kritikua pasi pamjet televizive treguan se si oficerët kanë goditur pjesëmarrësit në varrim, duke i ulur me forcë flamujt palestinezë dhe duke arrestuar individë që i mbanin ata.

Të premten, pjesëmarrësit në varrimin e Abu Akleh u ndeshën me rezistencë të fortë nga policia izraelite, e cila sipas raportimeve, ka hedhur gaz lotsjellës.

Ngjarjet e së premtes shkaktuan reagime globale nga zyrtarë të ndryshëm, të cilët thanë se janë tronditur nga ajo që kanë parë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga imazhet e policisë izraelite që ndërhyjnë në kortezhin e varrimit të palestinezes amerikane, Shireen Abu Akleh. Çdo familje meriton të presë të dashurit e tyre në mënyrë dinjitoze dhe të papenguar”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të premten në një postim në Twitter.

Edhe ambasadori i Norvegjisë në Izrael, Kare Aas, tha në një postim në Twitter se është i tronditur nga sjellja e dhunshme e policisë izraelite gjatë funeralit, duke shtuar se një forcë e tillë e përdorur është e papërshtatshme dhe e papranueshme.