Botë

Rusia kërcënon me sulm Finlandën dhe Suedinë

Vendimi i Finlandës për t'u bashkuar me NATO-n ka nxitur tashmë disa paralajmërime hakmarrëse nga Rusia.

Dmitry Polansky, zëvendësambasadori i Rusisë në OKB, i tha UnHerd të enjten se në momentin që Finlanda dhe Suedia bashkohen me aleancën ushtarake “do të ketë lëvizje nga ana e Rusisë”.

"Nëse ka trupa të NATO-s në ato territore, këto territore do të bëhen objektiv i mundshëm për një goditje”, tha Polansky.

Finlanda njoftoi të enjten se do të aplikojë për t'u bërë anëtare e NATO-s, derisa Suedia pritet të ndjekë shembullin, pasi të dy vendet zhvilluan diskutime të përbashkëta.

Ndërsa Finlanda dhe Suedia kanë mbetur kryesisht neutrale për çështjet globale, pushtimi rus i Ukrainës i ka shtyrë ato drejt bashkimit me aleancën ushtarake.

Rusia më parë tha se do të hakmerrej nëse këto dy vende i bashkohen NATO-s, meqë trupat e aleancës do të vendoseshin në kufirin e saj.

“NATO është një bllok shumë jomiqësor për ne, është një armik dhe vetë NATO e pranoi se Rusia është armiku. Kjo do të thotë që Finlanda dhe Suedia papritmas, në vend të vendeve neutrale, bëhen pjesë e armikut dhe ato do të përballen me të gjitha rreziqet”, ka thënë Polansky.